Dy legjendat e skuadrës së Milanit, Franko Baresi dhe Danielo Massaro, janë shprehur të kënaqur me ardhjen e skuadrës së tyre në Kosovë për ta zhvilluar ndeshjen miqësore mes Feronikelit dhe Milanit, shkruan Sinjali.
Fillimisht Franko Baresi dhe Danielo Massaro janë shprehur të befasuar me pritjen e skuadrës së Milanit që i është bërë në Prishtinë. Kanë thënë se Milani ka qenë njëra prej skuadrave me më së shumti tifozë në botë, për çka sipas tyre janë duke punuar që ta kthejnë në nivelin e njejtë.
“Ne e dimë të kaluarën e këtij vendi dhe mendojmë se është shumë e rëndësishme ardhja jonë. E vlerësojmë nivelin e futbollit që është shumë i rëndësishëm për këtë vend”, ka thënë Baresi.
“Edhe unë jam shumë i lumtur për këtë ndeshje e cila është vazhdimësi për ndeshjet parasezonale. Na ka befasuar jashtëzakonisht shumë dashuria dhe pritja që kanë bërë tifozët e Milanit në Kosovë. Ne, deri vonë, kemi qenë ekipi me më së shumti tifozë në botë dhe po mundohemi që këtë gjë ta kthejmë përsëri”, ka thënë gjatë konferencës, Danielo Massaro.
Kur është pyetur për seriozitetin e Milanit në këtë ndeshje, Baresi ka thënë se skuadra italiane do të futet me të gjithë futbollistit më të mirë që ka në dispozicion.
“Për ne është shumë e rëndësishme dhe besojmë se të gjithë futbollistët do të jenë pjesë e këtij takimi. Është e vërtetë që jemi këtu dhe ne do ta marrim me seriozitet këtë ndeshje duke futur në ndeshje të gjithë futbollistët që janë të gatshëm për këtë ndeshje”, ka deklaruar ai.
Baresi ka thënë se shpreson që edhe klubet e tjera kosovare t’ia bëjnë një ftesë të ngjashme Milanit, në atë mënyrë që të kultivohet një raport i mirë.
“Ne besojmë se do të ftohemi edhe rastet të tjera nga ekipet kosovare për të cilat shpresojmë se do të ndërtojmë një raport të mirë që do të kultivohet edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Baresi.
Dy legjendat e klubit italian, kanë dhënë zotime në Prishtinë se janë duke u përpjekur që Milanin ta kthejnë përsëri në majat e futbollit, aty ku sipas tyre e ka edhe vendin, shkruan Sinjali.
“Jemi kureshtar që të dimë për nivelin e futbollit si dhe për lojën që zhvillohet këtu. Mendoj se këtu është mundësia shumë e mirë që ta bëjmë një gjë të tillë”, ka deklaruar ish-mbrojtësi i Milanit, Baresi.
Në anën tjetër për tifozët kosovarë të Milanit, por edhe për të gjithë tifozët e tjerë të kësaj skuadre Massaro ka dhënë një lajm të mirë sa i takon transferimit të futbollistëve. Ka thënë se Milani është në përpjekje që një futbollist me cilësi të larta ta transferojë gjatë këtij afati kalimtar.
“Milani gjithmonë e ka një befasi të madhe për tifozët dhe kështu jemi duke vepruar edhe kësaj radhe jemi duke pritur nënshkrimin e një futbollistit të madh deri në fund të këtij afati kalimtar. Nuk mendoj që kushdo që harxhon patjetër do të fitojë, por Milani ka bërë ndeshje të mira të cilat premtojnë shumë. Tani me grumbullimin e futbollistëve do jemi aty dhe ku na takon”, ka deklaruar ai gjatë kësaj konference.
Skuadra nga Drenasi “Feronikeli”, ndeshjen miqësore me skuadrën italiane Milan do ta zhvillojë sonte në orën 20:45./Sinjali/