Kompania amerikane Microsoft ka njoftuar një valë të re shkurtimesh, duke larguar rreth 6.400 punonjës në nivel global. Prej tyre, 3.200 vende pune do të eliminohen në divizionin e video-lojërave Xbox, që përfaqësojnë rreth 20 për qind të stafit të këtij departamenti.
Drejtoresha ekzekutive e Xbox-it, Asha Sharma, u ka bërë të ditur punonjësve se gjendja aktuale e biznesit “nuk është e shëndetshme” dhe se kompania po operon me marzhe fitimi dukshëm më të ulëta krahasuar me kompani të tjera të ngjashme në industri.
“Duhet ta rivendosim Xbox-in”, ka thënë Sharma, duke shpjeguar se riorganizimi ka për qëllim thjeshtimin e strukturës së kompanisë dhe përqendrimin e investimeve në projekte më të mëdha dhe më fitimprurëse.
Sipas planit të prezantuar, 1.600 vende pune në Xbox do të eliminohen menjëherë, ndërsa pjesa tjetër do të shkurtohet gradualisht gjatë 12 muajve të ardhshëm.
Përveç këtyre largimeve, Microsoft do të heqë edhe rreth 3.200 vende të tjera pune jashtë divizionit Xbox, kryesisht në sektorët e shitjeve, duke e çuar numrin total të shkurtimeve në rreth 6.400 punonjës.
Sharma ka pranuar se blerjet e mëdha të realizuara vitet e fundit, përfshirë blerjen e kompanisë Activision Blizzard për rreth 69 miliardë dollarë në vitin 2023, krijuan vlerë të konsiderueshme për Microsoft-in, por nuk sollën rritjen e pritshme të biznesit.
Në kuadër të strategjisë së re, Xbox pritet të fokusohet më shumë në ekskluzivitetet e saj më të mëdha, si Minecraft, ndërsa studiot në pronësi të Microsoft-it do të vazhdojnë zhvillimin e serive të njohura si Fallout, The Elder Scrolls, Doom, Quake dhe Wolfenstein.
Gjithashtu, disa studio të zhvillimit të lojërave pritet të shiten ose të ndahen nga struktura e Xbox-it, si pjesë e procesit të riorganizimit.
Microsoft ka theksuar se këto ndryshime nuk përfaqësojnë një tërheqje nga industria e lojërave, por një përpjekje për ta orientuar Xbox-in drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më konkurruese.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!