image Meta: Engel dha kontribut të pakursyer për njohjen ndërkombëtare të Kosovës

Kosovë

Meta: Engel dha kontribut të pakursyer për njohjen ndërkombëtare të Kosovës

news image

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, duke i dhënë përshëndetje kongresistit Eliot Engel, tha se ai ka ofruar mbështetje të pakursyer për lirinë e Kosovës, e gjithashtu, për njohjen ndërkombëtare të saj.

Engel pas 32 vjetësh u largua nga Kongresi Amerikan, ku të shumta ishin rastet kur ai ngriti çështje për Kosovën.

“Përherë mirënjohës mikut të sprovuar të kombit shqiptar, z.Eliot Engel, për mbështetjen e jashtëzakonshme të dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për rolin e rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë, si dhe për kontributin e pakursyer dhe shumë të çmuar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës”, shkroi presidenti shqiptar.

Meta thotë se Engel ishte avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kongresin Amerikan, jo vetëm si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë.

“Engel ka bërë përpjekje të palodhura për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane dhe lidhjes tonë transatlantike. Si njohës i shkëlqyer i rajonit, z.Engel ka spikatur gjithashtu edhe si përkrahës i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për të konsoliduar të gjitha arritjet e deritanishme në Ballkan për paqen, stabilitetin, sigurinë, demokracinë e shtetin ligjor. Jam i bindur se mbështetja dhe bashkëpunimi i tij do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, në interes të forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”, përfundoi Meta.

Engel, të dielën, në fjalimin lamtumirës përmendi edhe Kosovën, duke thënë se zë një vend të veçantë në zemrën e tij.

/Gazeta Sinjali/