Së fundi, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka shkarkuar Rashit Qalajn nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Shkarkimi i Qalajt erdhi për shkak të performancës së dobët.
Pas lirimit të tij nga detyra, burime të Gazetës Sinjali brenda Policisë së Kosovës kanë deklaruar se Qalaj është sistemuar në cilësinë e këshilltarit të Drejtorit të Regjionit të Prishtinës, Fehmi Hotit.
Qalaj ishte emëruar në krye të Policisë së Kosovës në gusht të vitit 2018, nga kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj.
Kryeministri, Hoti tha se Qalaj u shkarkua në bazë të raportit të performancës nga Ministria e Brendshme. Sipas tij, nga raporti i Ministrit të Brendshëm, Agim Veliut, u kuptua se një nga katër objektivat e Policisë nuk është përmbushur.
“Drejtori i Policisë u shkarkua në bazë të raportit të performancës nga Ministria e Brendshme. Ky drejtor ka pasur performancë jo të kënaqshme në udhëheqje. Vlerësohet nga ministri se luftimi i korrupsionit nuk u përmbushë nga Policia, përveç këtyre u vërejt një menaxhim jo i mirë i aksionit në Karaçevë”.
“Pavarësisht suksesit të aksionit, në raport theksohet se gjatë viteve 2019-2020 janë arrestuar 68 pjestarë të Policisë. Drejtori i Policisë, Qalaj më 11 shtator 2019, në kundërshtim me ligjin ka ndryshuar organogramin e policisë pa e kaluar në procedurat ligjore. Këto janë arsyet pse u morën veprimet në Policinë e Kosovës“, kishte deklaruar kryeministri Hoti. /Gazeta Sinjali/