image Merrnin nga 600 euro me faqen fiktive për terminë për viza, këta janë dy të rinjtë që u arrestuan për mashtrim

Siguri

Merrnin nga 600 euro me faqen fiktive për terminë për viza, këta janë dy të rinjtë që u arrestuan për mashtrim

news image

Rastet e mashtrimit me viza në Kosovë nuk janë të rralla. Shumë herë Sinjali ka raportuar se si kosovarët nga dëshira për të ikur nga vendi, kanë rënë pre e mashtruesve, të cilët u kanë premtuar termine nëpër ambasada e viza për zonën Schengen. Për një rast të tillë kanë rënë në prangat e Policisë dy të rinj në Prishtinë, të cilët dyshohen se kanë mashtruar qytetarët se mundësojnë caktimin e terminëve në datë të caktuara në ambasadën gjermane, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se dy të arrestuarit janë 19-vjeçari, Ahmet Istrefi dhe 18-vjeçari, Leonit Istrefi.

Sipas burimeve, dy qytetarë kanë denoncuar rastin në Polici ku kanë deklaruar se janë mashtruar nga të dyshuarit përmes faqes së tyre në rrjetin social Facebook, ‘German Vizum’.

Për të ‘siguruar’ një termin në ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, ata kanë paguar nga 600 euro, por që pasi janë paraqitur atje në datën e caktuar, kanë kuptuar se s’janë fare në listë, dhe kanë zbuluar se kanë rënë pre e mashtrimit.

Dy të rinjtë e familjes Istrefi janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me veprën në fjalë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’.

Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë me dije se dy të rinjtë dyshohet se kanë mashtruar rreth 13 persona, të cilëve u kanë marrë shuma të ndryshme parash, duke iu premtuar caktim të terminëve për vizë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/