image Ky është 44-vjeçari i arrestuar për mashtrimin e një gruaje në Suharekë, ishte në kërkim policor

Ekskluzive

Ky është 44-vjeçari i arrestuar për mashtrimin e një gruaje në Suharekë, ishte në kërkim policor

news image

Rastet e mashtrimeve me qëllim përfitimin e dobisë pasurore nuk janë të rralla në vendin tonë. Shumë herë kosovarët kanë rënë pre mashtruesve, të cilët u kanë premtuar ndihmë për t’i zgjidhur problemet e tyre. Për pasojë, japin qindra e mijëra euro, por në fund rezulton se janë vënë në lajthitje, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë, Prokuroria Themelore në Prizren, kishte nisur hetimet pas denoncimit të një gruaje nga Suhareka, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë. Viktima i kishte dhënë para një personi në vitin e kaluar, i cili u zbulua se e kishte mashtruar.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ardijan Ibrahimin, (44-vjeçar), i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, i cili është arrestuar nga Policia në Prishtinë.

I njëjti është emër i njohur për organet e rendit, pasi ka qenë në kërkim pikërisht për këtë rast, por kishte arritur ta shijojë lirinë nga arratia, deri më dje, kur u kap.  

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Rajonit të Prizrenit.

“Me 24.04.2023 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin e bazuar se ka kryer rastin mashtrim në vitin 2022 duke i marrë  para viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që kryen këtë vepër dënohen me gjobë dhe burgim deri në 5 vjet.

“Përveç siç parashihet në nenin 324 të këtij Kodi, kushdo që me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet ose në çfarëdo mënyre tjetër mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër dhe me këtë e nxit një person që të kryej apo të mos kryej një veprim, i cili rezulton në dëm material të pasurisë së tij/saj apo të pasurisë së personit tjetër ose rezulton në dobi pasurore të kundërligjshme, për veten apo personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/