Albin Kurti i dha fund pjesës së parë të fushatës së tij elektorale në Shqipëri, duke prezantuar kandidatët e tij në Lezhë (Skënderbeu), në Tiranë dhe në Gjirokastër (Enver Hoxha).
Shkruan: Mero Baze
Është po ashtu e qartë se Albin Kurti tanimë është pjesë e padeklaruar e koalicionit opozitar në Shqipëri. Kjo është një zgjedhje e tij. Por në këtë rast ka vepruar si frikacak, se do të duhej të futej me logon e “Vetëvendosjes” dhe jo të testonte me tre anonimë, sa për të justifikuar mbështetjen e tij për Ilir Metën dhe Sali Berishën.
Është e vërtetë se Shqipëria padyshim ka nevojë për ndryshim, por jo për kthim mbrapa. Rreshtimi i Albin Kurtit me Sali Berishën dhe Ilir Metën, është ndryshimi më regresiv që mund të mendohet për Shqipërinë. Dhe është e kundërta e asaj që Albin Kurti pretendon se ka bërë në Kosovë.
Nëse në Kosovë, Kurti lavdërohet që ka nxjerrë në pension klasën e vjetër politike, në Shqipëri po angazhohet të nxjerrë nga varri e të ringrejë të vdekurit e korrupsionit, vrasjeve politike dhe hajdutët e votave.
Dhe arsyeja është se ai kërkon t’i dominojë opozitarët tanë, që i ka gjetur në ditë të keqe. Ai kërkon që ata ta shikojnë si shpëtimtar, si njeri që i nxori nga balta dhe i riktheu në pushtet, dhe të jetë tutori i tyre, pavarësisht se sa dëm i bën kjo Shqipërisë.
Nga ana tjetër, me delirin e tij si “lider mbarëkombëtar”, Albin Kurti po i bën një shërbim të keq Kosovës në Shqipëri.
Asnjë lider i Kosovës deri më sot, prej vitit 1991, nuk e ka lejuar veten të përdoret për luftë politike në Shqipëri.
Edhe kur Berisha tentoi të përdor Ibrahim Rugovën, ky i fundit u tërhoq në punët e veta, duke e injoruar atë.
Më tej, pas luftës, edhe pse në pushteti në Tiranë ka qenë shpesh me ngjyrë të ndryshme, nga Kosova, etika e komunikimit politik është ruajtur.
Fatos Nano ka takuar Ibrahim Rugovën dhe Sali Berisha ka pritur Hashim Thaçin pa ngarkesa politike.
Albin Kurti po përdoret politikisht dhe kjo rrezikon të nxisë artificialisht një frymë përçarje kombëtare, çka duket që është dhe misioni i vërtetë i “liderit mbarëkombëtar”.
Ai po përpiqet të shfrytëzojë pozitën e mjerë të opozitës shqiptare, të pareformuar, që po lufton të ngjallë dy fosile politike, si Sali Berisha e Ilir Meta, me shpresë që të gjejë mbështetje për të futur këmbët në politikën e Shqipërisë.
Në derexhenë ku janë katandisur Sali Berisha dhe Ilir Meta, ai u duket vërtet si shpëtimtar, edhe pse nuk përputhen në asgjë që thonë. Por të dy palët e dinë që jane duke gënjyer për ato që thonë në publik dhe nuk e kanë problem.
Albin Kurti nuk e ka problem të ketë aleat dikë që ka vrarë për të vjedhur dhe pastaj ka vrarë prapë për të ndenjur në pushtet, mjafton që ta ketë të nënshtruar para tij, edhe pse në Kosovë ka fituar se është zotuar për luftë kundër korrupsionit.
Të jesh lider i votuar në Kosovë si njeri që do luftosh korrupsionin dhe në Shqipëri të jesh aleat me Sali Berishën e Ilir Metën, është njësoj sikur ditën të punosh murgeshë, e natën në shtëpi publike. Por ai e bën këtë se i pëlqen roli i tutorit të prostitutave.
Shpresoj që më 25 prill ai do të jetë në anën e atyre që do të humbasin në Shqipëri. Kjo do t’ia bëjë më të lehtë të ardhmen e tij brenda asaj opozite, pasi do bëhet edhe më shumë tutor, ndërsa ata edhe më shumë prostituta./Gazeta Sinjali/