image Mediumi gjerman: I rëndësishëm fakti që Scholz nis vizitën në Ballkan nga Kosova

Politikë

Mediumi gjerman: I rëndësishëm fakti që Scholz nis vizitën në Ballkan nga Kosova

news image

Sot, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka nisur një udhëtim dyditor në Ballkan.

Scholz do të zhvillojë bisedime me liderë në Kosovë dhe Serbi, pastaj në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari.

Pritshmëritë prej tij janë të mëdha. Rendimenti i udhëtimit, megjithatë, mund të jetë i pakët, shkruan Frankfurter Allgemeine.

Fakti që Scholz e nis udhëtimin e tij në Prishtinë dhe vetëm më pas udhëton për në Beograd, është shumë i rëndësishëm për të në Kosovë. Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock bëri të njëjtën gjë: fillimisht Prishtina, pastaj Beogradi. Detaje të tilla i kushtohet vëmendje në Ballkan. Por pritshmëritë kosovare nga kancelari gjerman janë të larta, ndoshta shumë të larta.

Kosovarët shpresojnë në dy gjëra në veçanti nga Berlini: mbështetje për liberalizimin e vizave që është kërkuar më kot me vite të tëra dhe për aplikimin e fundit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Sa i përket liberalizimit të vizave, në Kosovë ka shpresë se pas zgjedhjeve parlamentare në Francë më në fund do të ketë një përparim dhe kosovarët do të lejohen të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së nga viti 2023.

Sipas FAZ, Kosova i ka përmbushur kërkesat teknike prej vitesh. por është bllokuar për arsye politike. Për Kosovën dhe qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, heqja e vizave do të ishte një sukses i madh.

Megjithatë, jo vetëm në Francë ka frikë se shumë shqiptarë të Kosovës mund të abuzojnë me përjashtimin e vizave për të aplikuar për azil. Por në Prishtinë janë siguruar se ky rrezik nuk është real.

Në çështjen tjetër është përkrahja gjermane për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërkohë në prapaskenë pati disa mosmarrëveshje mes Berlinit dhe Prishtinës.

Nga Prishtina mësohet se në Ministrinë e Jashtme janë ngritur shqetësime se tani “nuk është koha e duhur” për të aplikuar për anëtarësim.

“Edhe pas aneksimit rus të Krimesë, na u tha se tani nuk ishte koha e duhur për të aplikuar. Nëse veprojmë sipas këshillave të tilla, atëherë koha nuk është kurrë e duhur”, thotë një diplomat kosovar.

Matematikisht, ka një shumicë në Këshillin e Evropës për aplikimin kosovar – të paktën nëse të gjitha shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës votojnë edhe për pranimin e shtetit më të ri evropian në Këshillin e Evropës. Pas përjashtimit të Rusisë, më në fund ka ardhur koha e anëtarësimit të Kosovës, thonë në Prishtinë.

/GazetaSinjali/