image Më shumë se 18 mijë të vdekur largohen nga lista votuese

Politikë

Më shumë se 18 mijë të vdekur largohen nga lista votuese

news image

Lista e votuesve për zgjedhjet e 17 tetorit është pastruar dhe ka rezultuar me 18 mijë persona më pak.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për Gazetën Sinjali, ku tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti, ka vazhduar me aktivitete të ndryshme me qëllim të pastrimit dhe saktësisë së listës votuese.

“Që nga procesi i fundit zgjedhor, KQZ-ja ka gjetur një metodë të veçantë që i shërben pastrimit dhe saktësisë të listës votuese. Nga departamenti i pensioneve që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kemi pranuar një bazë të të dhënave me emrat e personave të cilët janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes dhe zyrtarët e KQZ-së kanë dalë në teren dhe kanë verifikuar këto të dhëna”, tha Elezi.

Sipas Elezit, procesi i verifikimit në terren është bërë përmes zyrave të gjendjes civile në komuna; bashkësive lokale fetare dhe përmes përfaqësuesve të fshatrave.

“Pas zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, numri i personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese është 18 mijë e 252. Pjesë më e madhe e tyre, 14 mijë e 81 emra, janë larguar nga lista votuese sepse të njëjtit janë larguar nga skema pensionale”, bëri të ditur Elezi. /GazetaSinjali/