Policia e Shqipërisë, sot gjatë ditës, falë operacionit të koduar “Punisher 2” ka arrestuar pesë persona, dy prej tyre shtetas të Kosovës, nën dyshimin për trafikim të lëndëve narkoktike nga Kosova për në Shqipëri. Pesë të arrestuarit u kapën në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, ku me vete kishin dërgesën prej 11,300 tabletash ekstazi (MDMA), me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro, raporton Gazeta Sinjali.
Pas njoftimit të Policisë së Shqipërisë, e cila publikoi emrat dhe fotografitë e të dyshuarve, u bë e ditur se në mesin e të arrestuarve ishte edhe asamblist i Vetëvendosjes [tashmë i shkarkuar nga partia], Besnik Mujeci.
Mujeci ishte asamblist për të dytën herë, i zgjedhur me 608 vota.
Besnik Mujeci muaj më parë ishte vendosur si aksionar në kompaninë publike “Stacioni i Autobusëve”, pas shkarkimit të 20 aksionarëve të vjetër të dhjetë ndërmarrjeve publike komunale.
Ndërsa, në biografinë e tij në faqen zyrtare të komunë së Prishtinës, Mujeci me profesion u deklarua jurist. Teksa, ndër vite punoi si përkthyes, asistent administrativ, e edhe menaxher i shitjes me pakicë.
Pak orë pas arrestimit të tij, subjekti politik të cilit i takonte Mujeci bëri të ditur se të njëjtin e ka përjashtuar nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizje Vetëvendosje.
“Si rrjedhojë Komisioni Diciplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE”, tha Sekretari Organizativ i VV-së, Alim Rama.
Në të dhënat e Qendrës për Varshmëri dhe dhe Shëndet Mentor për detajet rreth ekstazis (drogës së kapur sot) bëhet e ditur se ajo anipse shitet si ekstazi shpesh përmban droga të tjera përveç MDMA.
Ekstazia ndonjëherë përmban barna shumë toksike, të tilla si parametoksiampfetamina (PMA), e cila mund të jetë vdekjeprurëse edhe në doza të ulëta. Po ashtu, e njëjta bëhet në laboratorë ilegalë me kimikate dhe procese që ndryshojnë nga laboratori në laborator.
Duke u bazuar në raportimin e mediave në Shqipëri droga e kapur sot, sapo kishte arritur në Tiranë dhe ishte e destinuar për tregun e brendshëm të Shqipërisë.