image “Me liberalizimin e vizave, gjysma e të rinjve do të largohen”, statistikat e ASK-së alarmojnë për tkurrje të popullsisë

Sociale

“Me liberalizimin e vizave, gjysma e të rinjve do të largohen”, statistikat e ASK-së alarmojnë për tkurrje të popullsisë

news image

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka alarmuar për tkurrjen e popullsisë së vendit në një diskutim të organizuar bashkë me Programin për Popullsi dhe Zhvillim me temën “Ulja e fertilitetit në Kosovë: Çka po ndodh dhe çka mund të bëjmë”.

Aty është bërë një krahasim i të dhënave, që thonë se në vitin 1986 në Kosovë kishte 56 mijë e 283 lindje, ndërsa ishin 25 mijë e 794 në vitin 2019.

Avni Kastrati nga ASK-ja foli për normën e fertilitetit, e cila sipas tij tregon se tash popullësia po zvogëlohet.

Ilir Berisha, u.d. i kryeshefit të ASK-së e lidhi rënien e lindjeve me migrimin. Sipas tij, ndonëse kjo i ka prekur gjithë rajonin, shtet tjera kanë marrë masa.

“Statistikat tona na tregojnë se kemi rënie të lindjeve në Kosovë. Kjo lidhet me fertilitetin dhe migrimin. Ne besojmë që do të dalim më të pajisur për këtë dukuri nga ky diskutim. Kjo dukuri është prezente në gjithë rajonin dhe më gjerë, vendet e rajonit kanë marr hapat me kohë. Përpos që lindjet kanë rënie, edhe migrimi është në rritje”, tha Berisha.

Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujku-Nimani, shtroi nevojëb e ndryshimit të politikave për t’u marrë me këtë çështje. Ajo paralajmëroi se me liberalizimin e vizave “gjysma e të rinjve do të largohen nga Kosova”.

“Brenga e të gjithëve është se çfarë do të ndodh sepse popullsia po zvogëlohet. Orientim është se çfarë po bëjnë shtete tjera që janë prekur, çfarë masash duhet të merren dhe cilat nga to kanë pasur sukses. Shtete që janë ballafaquar me këtë problematikë kanë vërtetuar dhe kanë bërë ndryshime në politika si në edukim, pushimin e lehonisë, pushimin prindërorë. Ne si Kosovë po presim se çka do të ndodhë me liberalizim vizash tani, ku gjysma e të rinjve do të largohen”, tha ajo.

Profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Mimoza Dushi, tha se Kosova më herët kishte numër më të madh të lindjeve krahasuar me vendet e rajonit. Për shkallën në rënie të lindshmërisë, ajo thotë se shkaktar kryesor është migrimi.

“Nga viti 1948 deri vitin 2011 për sa i përket numrit të lindjeve në këto periudha Kosova ka pasur rritje të lindjeve krahasuar me vendet e rajonit. Shkalla e fertelitetit të përgjithshme gjatë 2013-2022 në Kosovë është 2.1 që është shkalla më e lartë krahasuar me vendet e rajonit. Ka burime të tjera që tregoj se shkalla e lindshmërisë në Kosovë ka shënuar rënie. Në Kosovë shkaktari kryesor i zvogëlimit të numrit të popullsisë është migrimi jo lindshmëria”, tha Dushi.

/GazetaSinjali/