Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, gjatë ditës së nesërme do të organizoj protestë përmes artit në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.
Në njoftimin e bërë nga ushtruesi i detyrës së OVL UÇK-së, Faton Klinaku, tregohet se ky aktivitet protestues përmes artit po bëhet për shkak të “fyerjeve drejtuar UÇK-së e njëkohësisht edhe në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së që gjenden në Hagë”.
Protesta do të organizohet në orën 11:00 dhe organizatorët kanë bërë thirrje të protestohet përmes vizatimit të figurave të nismëtarëve të lirisë dhe mbishkrimit ‘Me ju çlirimtarë’.
“Kemi nderin të ju njoftojmë që me datën 12.06.2021, ora 11, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të mbahet aktivitet protestues përmes artit, për shkak të fyerjeve që po bëhen ndaj UÇK-së dhe në përkrahje të çlirimtarëve që gjenden padrejtësisht në dhomat e specializuara në Hagë“.
“Këtë përvjetor të ditës së çlirimit të Kosovës, po e presim pa prezencën e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj e kemi obligim moral e njerëzor që në këtë ditë të veçantë për vendin tonë, të jemi në përkrahje të tyre“ .
“Dil dhe shkruaj mbishkrimin “Me ju çlirimtarë” dhe formo figurat e nismëtarëve të Lirisë”, thuhet në njoftim.