Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht për aksionin “Pika 2” që po zhvillohet nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, në pikën kufitare në Vërmicë. Prokurori special, Haki Gecaj, ka thënë për Sinjalin se pritet arrestimi i më shumë se 20 policëve të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
Gazeta Sinjali ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes ku shihen teksa arrestohen zyrtarët policorë të cilët kanë qenë objekt hetimi nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe ka përfshirë masat e fshehta në koordinim me Prokurorinë dhe të aprovuara nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prokurorët e Departamentit për Krim të Organizuar dhe krime të tjera në kompetencë të PRSK-së që kanë zhvilluar hetimet në këtë rast janë Burim Çerkini dhe Haki Gecaj.
Përveç zyrtarëve policorë të Kosovës, sipas burimeve të Sinjalit në pranga do të bien edhe zyrtarë policorë të Shqipërisë, të cilët dyshohen se për muaj të tërë u kanë mundësuar dhjetëra qytetarëve shqiptarë dhe kosovarë kalimin kufitar në mënyrë të parregullt, për çka dhe kanë pranuar si ryshfet shuma të konsiderueshme të parave.