image Më 17 tetor votohet edhe në Maqedoninë e Veriut, KQZ-ja pa përgjigje për votuesit me dy shtetësi

Politikë

Më 17 tetor votohet edhe në Maqedoninë e Veriut, KQZ-ja pa përgjigje për votuesit me dy shtetësi

news image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është vënë përballë një sfide të re për votuesit e komunave kufitare me Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë edhe shtetësinë maqedonase.

Më 17 tetor zgjedhjet lokale do të mbahen edhe në Maqedoninë e Veriut, shtet i cili ka procedurat e njëjta të identifikimit të votuesve sikurse Kosova.

Kjo do të thotë se nëse një votues nga Kosova ka votuar në Maqedoninë e Veriut, do të jetë problematike që edhe i njëjti të mund të votojë edhe në Kosovë, pasi në gishtin e tij do të mbeteshin gjurmët e sprejit.

Kjo temë ka ngjallur debate në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Anëtarët e këtij institucioni kanë kërkuar nga Sekretariati i KQZ-së një rekomandim se si do të veprohet në këto raste.

Shefi i sekretarit në KQZ, Burim Ahmetaj, ka thënë se kjo gjë ka qenë kërkesë e banorëve të pikave kufitare.

“Nga vizitat që kemi pasur në terren, jemi njoftuar me problematikën e qytetarëve që kanë dy shtetësi. Kjo problematike më shumë është në Kaçanik dhe Han të Elezit, ku e dimë që të njëjtën ditë mbahen zgjedhjet edhe në Maqedoni, e kërkesa e tyre ishte nëse mund te votojnë në dy shtetet”, tha ai.

Të njëjtën e kërkoi edhe anëtari i PDK-së, Arianit Elshani. Ai kërkoi që mbledhjen e ardhshme, sekretariati ta bëjë një rekomandim, të cilën do ta shqyrtojnë në mbledhjen e ardhshme.

E anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, kërkoi të dijë nëse partitë politike mund t’i mbajnë aktivitetet nëpër oborret e shkollave, raporton EO.

“Ministria e Arsimit i ka lejuar që partitë politike t’i mbajnë këto aktivitete, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”, tha Ahmetaj.

Ndërkaq, për personat që janë të infektuar me COVID-19, ai tha ata do të votojnë përmes ekipeve mobile./GazetaSinjali/