Të paktën 57 persona janë mbytur pasi një anije u përmbys në brigjet e Libisë pranë Khums.
Sipas “Reuters” kjo është tragjedia e fundit në Detin Mesdhe, ku vetëm në shtatë muajt e këtij viti kanë humbur jetën mbi 1 mijë e 100 persona.
Zëdhënësja e OKB-së, Safa Msehli ka deklaruar se trupat e pajetë ende nuk janë nxjerrë, por në mesin e të mbijetuarve ka emigrantë nga Nigeria, Gana dhe Gambia.
“Sipas të mbijetuarve që janë sjellë në breg nga peshkatarët dhe roja bregdetare, së paku 20 gra dhe dy fëmijë janë në mesin e të mbyturve”, tha ajo përmes rrjeteve sociale.
Nisjet e anijeve për në Itali dhe pjesë të tjera të Evropës nga Libia dhe Tunizia janë rritur muajt e fundit.
Qindra mijëra persona kanë bërë kalimin e rrezikshëm në vitet e fundit për të ikur nga konflikti dhe varfëria në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.