image Mbrojtja kërkon lirimin e të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Drejtësi

Mbrojtja kërkon lirimin e të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

news image

Të premten, mbrojtësit e të dënuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, avokatët Ahmet Tahiri dhe Ymer Beka kërkuan nga Gjykata e Apelit që aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj të ndryshohet dhe i akuzuari të lirohet nga akuza.

Më 27 maj 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitaj në nëntor të 2015-tës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtij aktgjykimi, në Gjykatën e Apelit kanë parashtruar ankesë Prokuroria e Apelit të cilët kanë propozuar që ndaj të akuzuarit të vërtetohet dënimi i shkallës së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Gëzim Kollqaku, Ahmet Tahiri dhe Ymer Beka kanë kërkuar që i mbrojturi i tyre të lirohet nga akuza.

Këto ankesa u shqyrtuan të premtën nga kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit i përbërë nga gjykatësit Aferdita Bytyqi, Xhevdet Abazi dhe Tomislav Petroviq.

Prokurori i Apelit, Arian Gashi, ka deklaruar se mbesin pranë propozimit të prokurorisë me të cilën kanë propozuar që të refuzohet ankesa e avokatëve dhe aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet.

Ndërkaq, avokati Ahmet Tahiri ka propozuar që i akuzuari të lirohet, me arsyetimin se i njëjti nuk është kryesi i veprës penale, dhe nuk në asnjë fazë të procedurës nuk është vërtetuar.

“Fillimisht dua të potencoj që në këtë procedurë penale janë dëgjuar mbi 24 dëshmitarë në të gjitha fazat dhe asnjëri prej këtyre dëshmitarëve nuk e konfirmon që ditën kritike tani e ndjera Donjeta Pajazitaj të ketë hipur në veturën e të pandehurit Naser”, deklaroi Tahiri.

Tutje, Tahiri tha se prokurorja e rastit gjatë bisedës me kolegun e tij Gëzim Kollqaku dhe vëllain e të akuzuarit i është referuar me fjalët “unë e di se Naseri nuk e ka bërë këtë vepër, por Naseri e din kush e ka bë edhe vetëm le të ma shkruan emrin unë sot e lëshoj”.

Sipas avokatit Tahiri, prokuroria nuk ka qenë e interesuar për ta zbardhur këtë rast, këtë e dëshmojnë edhe mos veprimet ndaj disa dëshmive të dëshmitarëve.

“Dëshmitari Haki Pajazitaj, në dëshminë e tij në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në pyetjen e nënës së të ndjerës, i referohet që të mos i hyj më fell kësaj pune dhe çuditërisht prokuroria pas arrestimit të tij të njëjtin e liron pas disa orëve me një marrëveshja dhe dënim me gjobë”, tha Tahiri.

“Ky dëshmitar është vërtetuar në bazë të ekspertizës grafologjike dhe në bazë të kamerave të sigurisë që ka shkruar 4 letra në drejtim të Naser Pajazitaj, duke i drejtuar hetimet tek i pandehuri Naser, dhe as për këtë prokuroria nuk ka ndërmarr asnjë veprim ndaj tij. I njëjti posedon informacione se kush e ka kry, i referohet nënës së Donjetes mos hi më fell se del në gjetje dhe prokuroria nuk merret me këtë punë farë hiq” shtoi ai.

Tutje, Tahiri deklaroi se Gjykata Themelore në Ferizaj nuk ka analizuar listën e thirrjeve nga operatori “Ipko”, e cila do të vërtetonte se i njëjti në ditën kritike ka qenë kryesisht në fshatin Strellcë.

“Kjo gjykatë po ashtu nuk e analizon fare listën e thirrjeve nga operatori ekonomik ipko, me të cilën është vërtetuar se i pandehuri Naser në ditë kritike ka qenë kryesisht në fshatin Strellcë dhe jo tek  vendi i quajtur “Kroi i lajthisë”, aty ku është trupi i pajetë i të ndjerës”, tha Tahiri.

Në fund avokati Tahiri deklaroi se Gjykatës Themelore në Ferizaj nuk i ka bërë përshtypje parimi “In Dubio Pro Reo”, që faktet e dyshimta gjithmonë interpretohen në favor të akuzuarit dhe jo në dëm të tij.

Ndryshe, Naser Pajazitaj në mars të vitit 2018 me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë në mungesë të provave ishte liruar nga akuzat, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim. Gjykata Themelore në Pejë.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019 e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019.

Por, në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë.

Vendimi për delegimin e lëndës në Ferizaj ishte marrë nga Gjykata e Apelit. /Gazeta Sinjali/