Mungesa e infrastrukturës dhe personelit të kualifikuar shëndetësor në Kosovë, shpeshherë detyron qytetarët që të kërkojnë trajtim mjekësor jashtë shtetit. Por ky trajtim ka një kosto enorme, prandaj ata kërkojnë ndihmë te të njohurit e të panjohurit për t’i siguruar mjetet e nevojshme. Pavarësisht numrit të madh të qytetarëve që ndihmojnë, ka të atillë që synojnë të përfitojnë në situata të tilla, qoftë përmes mashtrimit apo përmes abuzimit, raporton Gazeta Sinjali. Për një rast mashtrimi, që u vu në dijeni Prokuroria dhroi veprime hetimore, Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një rast mjaft të dhimbshëm që i ka ndodhur një gruaje në Prishtinë, e cila u mashtrua nga një person i panjohur që ia vodhi mijëra euro, të mbledhura për shërimin e djalit të saj me një sëmundje të rëndë.
Rasti u denoncua nga nëna, (emër i njohur për redaksinë), e cila mes lotësh ka rrëfyer në Polici se si ra pre e mashtruesit, i cili në emër të “ndihmës”, ia mori shumën prej 20 mijë eurosh nga llogaria bankare e saj, raporton Gazeta Sinjali.
Në deklaratën e saj të dhënë në Polici thuhet se fillimisht i dyshuari ishte prezantuar si një person që dëshiron ta ndihmojë për shërimin e djalit të saj, i cili vuan nga një sëmundje e zemrës dhe e kishte udhëzuar t’i dërgojë mesazhe për t’ia mundësuar atij t’a ofrojë ndihmën.
Nëna e mërzitur dhe me shpresë se së shpejti do t’i mbledh të gjitha mjetet për ta dërguar djalin për shërim jashtë vendit, pa një pa dy, veproi siç ia kërkoi mashtruesi dhe ia dërgoi të dhënat që i kërkoi. Por kjo i kushtoi shumë.
‘Të dhënat’ që ia kërkoi mashtruesi nënës nga Prishtina ishin në fakt mesazhe konfirmimi, që i shkonin në numrin e saj të telefonit dhe kishin të bënin me blerje të cilat i kishte kryer i dyshuari, përmes llogarisë së saj, shkruan Sinjali.
Viktima e kuptoi se ra pre e mashtrimit tek gjatë ditës së djeshme, kur e vërejti se veprimet e saj ia mundësuan mashtruesit t’ia merrte paratë e mbledhura për shërimin e djalit.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori ka dhënë urdhër për fillimin e hetimeve dhe inicimin e rastit si “Ndërhyrje në sistemin kompjuterik dhe Mashtrim”.