image Mblidhet parlamenti britanik, sot votohet Brexit

Botë

Botë/ Mblidhet parlamenti britanik, sot votohet Brexit

news image

Parlamenti britanik është mbledhur sot për të votuar për marrëveshjen e kryeministrit britanik Boris Johnson për daljen nga Bashkimi Evropian.

Johnson ka tentuar të bindë deputetët për të mbështetur marrëveshjen që ka arritur me Bashkimin Evropian, para votimit që konsiderohet si “teh thike” në Parlament.

Unioni Demokratik dhe partitë opozitare planifikojnë të votojnë kundër marrëveshjes. Sekretari i Brexit-it, Stephen Barclay, ka pranuar se vota do të jetë e ngushtë, por tha se qeveria ka dëgjuar të gjitha mendimet e deputetëve nga të gjitha anët.

“Tani është koha që deputetët të veprojnë me përgjegjësi që marrëveshja të kalojë si dhe që vendi të ecë përpara”, tha Barclay.

Të paktën nëntë deputetë të Laburistëve pritet të kundërshtojnë ndërsa kryeministri shpreson në mbështetjen e disa deputetëve konservatorë. Marrëveshja mes Johnson dhe Bashkimit Evropian është rishikuar të enjten në samitin e Brukselit. Takimi i sotëm në Parlament përbën mundësinë e fundit për Johnsonin që të miratojë marrëveshjen për Brexit dhe të largojë Britaninë nga blloku evropian më 31 tetor.

Nëse deputetët refuzojnë planin e tij, atëherë bazuar në një ligj të miratuar nga vetë deputetët, Johnson detyrohet të kërkojë shtyrje të datës për Brexit deri më 31 janar të vitit 2020, pavarësisht pse ai ka insistuar se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Teksa ka lavdëruar marrëveshjen e arritur në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian në samitin e liderëve evropianë ditën e enjte, kryeministri britanik u ka kërkuar të gjithë deputetëve të votojnë dhe ta finalizojnë procesin e Brexitit.

Mirëpo partitë opozitare kanë thënë se nuk pajtohen se si dokumenti përcakton kontrollet kufitare në kufirin irlandez, dhe disa çështje tjera. Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016./Gazeta Sinjali/