Papunësia në Kosovë vazhdon të mbetet shqetësim për qytetarët. Sipas të dhënave të fundit kjo shifër ka shkuar në 34.6 për qind.
Papunësia në Kosovë brenda tre muajve të vitit 2021 kishte shënuar rritje me 1.3 për qind, thuhet në raportin “Anketa e Fuqisë Punëtore, tremujori i katërt 2021“, prezantuar nga Agjencia e Statistikave (ASK).
Sipas ASK-së, kjo rritje e papunësisë te meshkujt ishte me 1.7 për qind përderisa te femrat 0.2 për qind, duke shtuar se papunësia në tremujorin e katërt të 2021-së ishte 19 për qind.
“Papunësia më e theksuar është te femrat me 24.1 për qind krahasuar me meshkujt me 17 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup-moshat 15-24 vjeçare me 34.6 për qind. Në tremujorin e katërt të 2021-së, fuqia joaktive ishte mjaft e lartë, me 60.8 për qind me fokus të veçantë te femrat me 77.9 për qind krahasuar me meshkujt me 43.7 për qind”, thuhet në raport.
Sipas ASK-së krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, kemi rënie të shkallës së papunësisë me 8 për qind, ku te meshkujt ishte 7.3 për qind përderisa te femrat 9.4 për qind.
Më tej në njoftim thuhet se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së re është e papunë apo 34.6 për qind dhe shkalla e papunësisë te rinia e gjinisë femërore është më e lartë me 43.1 për qind krahasuar me meshkujt me 30.6 për qind.
Në këtë tremujor, të rinjtë në Kosovë kishin dy herë më shumë gjasa të ishin të papunë në krahasim me të rriturit, me asnjë diferencë midis meshkujve dhe femrave.Shkalla e punësimit për tremujorin e katërt 2021 ishte 31.7 për qind.
Punësimi me i lartë ishte te meshkujt me 46.7 për qind, ndërsa punësimi te femrat ishte 16.8 për qind. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 48.6 për qind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, prodhimit dhe ndërtimtarisë me 38.2 për qind.
Sipas të dhënave të ASK-së sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 15.1 për qind, prodhimi me 10.4 për qind, ndërtimtaria me 9.1 për qind dhe arsimi me 8.8 për qind.Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 46.4 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 53.6 për qind kanë kontratë të përkohshme.
ASK njoftojnë se pagat neto të shumicës së punonjësve ishin midis 400 euro deri 500 për qind në muaj.93.2 për qind e të intervistuarve raportuan se punojnë me orar të plotë në punën e tyre kryesore. Arsyet e të punuarit me orar të pjesshëm dallojnë midis dy gjinive, pasi gratë, duke marrë përsipër më shumë rolin e kujdesit brenda familjes, reduktojnë orët në dispozicion për punësim.10.8 për qind e personave të punësuar i përkiste kategorisë së punësimit të paqëndrueshëm. Kjo do të thotë se ata ose janë të punësuar në biznesin e tyre ose kontribuojnë në një biznes familjar.Interesimi i qytetarëve për të punuar, sidomos në sektorin privat, ka rënë për disa arsye.