Prej orës 03.00 të mëngjesit në Republikën e Shqipërisë kanë hyrë 22.145 shtetas me 4.058 mjete, ka bërë të ditur Policia e Shtetit.
Policia Kufitare në Morinë, që prej orëve të mëngjesit ka shtuar sportelet në maksimum dhe po aplikon procedurën e përshpejtuar për të përballuar fluksin e jashtëzakonshëm në hyrje
“Gjithashtu Policia Kufitare në Morinë po kryen kontrolle me përzgjedhje dhe sipas analizës së riskut, për mjete dhe persona të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme, që mund të përfitojnë nga fluksi”, deklaron Policia e Shtetit.
Ndërkohë, Policia Rrugore, për të parandaluar aksidentet dhe ndihmuar vargun e pandërprerë të automjeteve që lëvizin në drejtim të Lezhës dhe bregdetit, ka shtuar prezencën e Policisë Rrugore në rrugën e kombit.
Për shkak se te ura e Kukësit po kryhen punime, Policia Rrugore ka vendosur shërbim fiks për të ndihmuar qarkullimin e automjeteve në të dyja kahet e lëvizjes.
“Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos parakalojnë karvanin e gjatë të automjeteve për shkak të fluksit të madh pasi rrezikojnë jetën e tyre dhe të përdoruesve të rrugës”, ka apeluar Policia e Shtetit./Sinjali/