image Mbi 2 milionë udhëtarë kaluan përmes Aeroportit të Prishtinës gjatë 2021-tës, ky ishte top-destinacioni

Sociale

Mbi 2 milionë udhëtarë kaluan përmes Aeroportit të Prishtinës gjatë 2021-tës, ky ishte top-destinacioni

news image

Për dallim nga viti 2020 kur si shkak i përhapjes së madhe të virusit COVID-19 anembanë botës kishte rënë numri i udhëtimeve në linja ajrore, viti 2021 ua lehtësoi punën thuajse të gjitha aeroporteve.

Ngjashëm ka ndodhur edhe me Aeroportin e Prishtinës.

Për shkak të rënies së numrit të rasteve të infektimit dhe mundësisë së vaksinimit me vaksinën kundër COVID-19, është rritur edhe numri i udhëtarëve përmes Aeroportit “Adem Jashari”.

Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara ka deklaruar se viti 2021 përmbyllet me rreth 2.1 milionë udhëtarë.

E njëjta theksoi se gjatë këtij viti ka pasur edhe linja të reja të udhëtimit të cilat janë lansuar për herë të parë.

Ne e kemi paraparë që këtë vit do ta përmbyllim me rreth 2.1 milionë udhëtarë. Gjatë këtij viti ne kemi pasur edhe linja të reja të cilat janë lansuar për herë të parë si dhe kemi finalizuar projektin e zgjatjes së pistës dhe ngritjes së kapacitetit të ndriçimit”, tha Gara për lajmi.net.

E destinacioni më i shpeshtë i udhëtarëve nga Kosova është Zvicra.

Numri më i madh i fluturimeve të cilat realizohen nga Aeroporti i Prishtinës dhe anasjelltas është Zvicra.

Përpos fluturimeve më të shumta, Zvicra prin edhe sa i përket pasagjerëve në kuadër të këtij aeroporti në Prishtinë.

“Zvicra është destinacioni që prin me numër të fluturimeve dhe udhëtarëve”.

Ndërsa në vitin 2020 ka pasur rreth 54% më pak udhëtarë krahasuar me periudhën vjetore të vitit 2019.

Nga Aeroporti i Prishtinës patën theksuar se deri në fund të muajit nëntor të këtij viti janë realizuar 7 mijë e 440 fluturime dhe pati 974.212 udhëtarë.

Numri i udhëtarëve gjatë vitit 2019 ishin, 2,373.877 kurse në periudhën janar-nëntor 2020 numri i pasagjerëve ishte 974.443 apo -58%, pa përfshirë muajin dhjetor ”, u tha nga Zyra për Informim e Aeroportit të Prishtinës.

E nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” tashmë janë marrë të gjitha masat e nevojshme për pritjen e mërgimtarëve.

Si edhe çdo vit tjetër të ri, edhe këtë herë numër i madh i mërgimtarëve nisen drejt Kosovës, e në të shumtën e rasteve ata zgjedhin që ardhjen ta bëjnë përmes linjave ajrore.

Në vitin që lamë pas një nga ankesat më të mëdha që të njëjtit patën ishte ngritja e çmimit të biletave. Kësisoj shumë prej tyre zgjodhën që rrugën deri në Kosovë ta bënin përmes transportit tokësor.

/GazetaSinjali/