Kompania franceze për prodhim të energjisë elektrike “Akuo Energy”, as pas tre vjetësh përpjekjeje, nuk ka arritur t’i përfundojë procedurat për një investim milionësh në Kosovë.
Në shtetin fqinj – Maqedoni të Veriut – procedurat e tilla i ka përfunduar brenda muajsh.
“Akuo Energy” do të ndërtojë atje një park diellor, në vlerë prej 270 milionë eurosh.
Parku “Stipion” pritet të jetë ndër më të mëdhenjtë në Evropë, me kapacitet prodhimi prej 350 deri në 400 megavat rrymë në orë.
Qeveria në Shkup thotë për Radion Evropa e Lirë se procedurat e kompanisë për investime në këtë projekt kanë nisur këtë vit dhe kanë përfunduar për disa muaj.
“Vonesat eventuale që mund t’i ketë pasur, kanë qenë të natyrës teknike, apo për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe jo për arsye të tjera. Meqë bëhet fjalë për investim strategjik, marrëveshjet përfundojnë në afat sa më të shkurtër të mundshëm kohor”, thuhet në një përgjigje të Qeverisë maqedonase.
Parku diellor “Stipion” i kompanisë “Akuo Energy” do të ndërtohet gjatë vitit të ardhshëm, thotë Qeveria në Shkup.
Në Kosovë, kjo kompani ka projektin “ÇiçavicaWind Farm” për prodhim të energjisë elektrike me erë.
Projekti i paraparë në Komunën e Vushtrrisë, e cila gjendet rreth 25 kilometra larg Prishtinës, kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.
Por, procedurat për investime nuk kanë përfunduar ende.
Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë sqaron se procedurat që duhet t’i ndjekë një investitor i huaj për të investuar në Kosovë, varen nga sektori ku bëhet investimi, pastaj nga vlera e investimit e të tjera.
“Nëse bëhet fjalë për një investim në sektorin e minierave, natyrisht se në atë rast kërkohen pëlqime, leje, licenca, certifikata, vendime, etj., gjë që përfshin më shumë institucione dhe më shumë procedura që duhen ndjekur, për t’u pajisur me të njëjtat. Për agjencinë është e rëndësishme që të sigurohen informatat zyrtare për çdo lloj projekti investues, pastaj vijohet me hapat tjerë, ku, çdo herë, kjo agjenci është në dispozicion të investitorit, për t’ia lehtësuar procesin e plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm”, thotë Agjencia për Investime.
Ajo shton se, deri më tash, nuk i është adresuar ndonjë ankesë nga ndonjë investitor i huaj.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe me kompaninë “Akuo Energy” rreth procedurave të investimit, por nga ajo s’ka marrë përgjigje.
Për zvarritjen e tyre, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e hedh fajin te, siç thotë, burokracia, korrupsioni dhe jostabiliteti politik.
Sipas tij, ka pasur disa raste në Kosovë kur procedurat për investime të huaja janë zvarritur.
“Në Kosovë i ke pasur pothuajse të gjitha brendet ndërkombëtare që kanë qenë të interesuara për të investuar, mirëpo burokracia, korrupsioni dhe politizimi i këtyre proceseve me licenca, e kanë dëmtuar Kosovën dhe ata investitorë kanë ikur”, thotë Gërxhaliu.
Ai përmend në mënyrë specifike rastin e furnizuesit automobilistik gjerman “Draxlmaier”. Kjo kompani ka qenë investuese potenciale në Kosovë, por, siç thotë Gërxhaliu, ajo ka ikur në Maqedoninë e Veriut, ku edhe ka shtrirë biznesin e saj qysh në vitin 2012.
Projekti i kompanisë “Akuo Energy” në sirtarët e Qeverisë
Kompania “Akuo Energy”, për projektin për prodhim të energjisë me erë në Kosovë, ka nisur procesin e studimit të fizibilitetit dhe studimet e tjera të ambientit qysh në fillim të vitit 2018.
Kryetari në largim i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se, në vitin 2019, ka nënshkruar një memorandum me kompaninë “Akuo Energy” dhe se asaj i janë dhënë të gjitha lejet e nevojshme që kanë qenë në kompetencë të komunës.
“Ne, si komunë, i kemi qëndruar afër këtij investitori, pasi është një investim i rëndësishëm për Komunën e Vushtrrisë. Kemi shkuar bashkë me kompaninë edhe tek institucionet, në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë dhe në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë”, thotë Tahiri.
Sipas tij, procedurat e mëtejshme kanë ngecur në nivelin qendror.
Sipas dokumenteve që posedon Radio Evropa e Lirë, Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike e ka trajtuar kërkesën e këtij investitori në vitin 2020.
Në dhjetor të atij viti, Qeveria e Kosovës – atëbotë me kryeministër Avdullah Hotin – ka marrë vendim që t’ia japë statusin e investitorit strategjik kompanisë “Akuo Energy”.
Ky status, sipas ligjit në Kosovë, i jepet atij që i kontribuon rritjes ekonomike, punësimit dhe zbatimit të teknologjive të reja apo që ndikon në rritjen e mirëqenies dhe kushteve të jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Vendimi për statusin është dashur të miratohet në Kuvendin e Kosovës, por një gjë e tillë nuk është arritur, pasi, në shkurt të vitit 2021, Kosova ka shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Fituese në këto zgjedhje ka dalë Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe vendimi i Qeverisë së Hotit nuk është jetësuar.
Më 7 shtator, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, e ka njoftuar kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, se do ta rikthejë lëndën e investitorit në shqyrtim dhe vlerësim te Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike.
Hajdari e ka arsyetuar vendimin e saj duke thënë se investimi ka të bëjë me tarifa nxitëse të energjisë elektrike.
Përmes këtyre tarifave, prodhuesit e energjisë elektrike nga burime të ripërtërishme kanë garanci që energjia që ata prodhojnë, do t’iu blihet.
Pas lajmit që doli këtë javë në media të ndryshme, se kompania “Akuo Energy” ka investuar në Maqedoni të Veriut dhe se është tërhequr nga Kosova, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës ka mohuar se ajo është tërhequr nga Kosova dhe ka thënë se kompania franceze ka edhe projekte të tjera në rajon.
Sipas kësaj ministrie, lënda për kompaninë në fjalë do të riprocedohet shpejt në Komisionin Ndërministror për Investime Strategjike dhe, pas shqyrtimit aty, do të trajtohet në Qeverinë dhe në Kuvendin Kosovës.
“Riprocedimi do t’i hapë rrugë realizimit të investimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi, sidomos normat për ndihmën shtetërore – pra, pa tarifa nxitëse që mund t’iu faturohen qytetarëve dhe që ndalohen me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ministria e Industrisë.
Tahiri: Humbje për Komunën e Vushtrrisë
Kryetari në largim i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, thotë se zvarritja e këtij investimi është humbje e madhe për zhvillimin e kësaj komune.
Memorandumi i nënshkruar mes Komunës së Vushtrrisë dhe kompanisë “Akuo Energy”, sipas tij, ka paraparë që investitori t’i paguajë afro 300 mijë euro taksë vjetore Komunës së Vushtrrisë.
Me këtë memorandum është paraparë, gjithashtu, që pesë studentë nga Vushtrria të studiojnë në universitetet franceze për energji të ripërtërishme dhe të njëjtit të kthehen pastaj në Kosovë për të dhënë kontributin e tyre në fushën e kësaj energjie.
“Nuk arrijmë që të kemi shpesh investitorë të tillë seriozë. Sikur të ishin kryer me kohë procedurat ose vetëm të kryhen si në Maqedoni të Veriut, brenda një muaji apo dy, ne sot do ta kishim këtë investim ndoshta të përfunduar”, thotë Tahiri.
Sipas vlerësimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Komuna e Vushtrrisë ka rreth 62,000 banorë.
Në muajin shtator të këtij viti, afro 1,500 familje kanë qenë me asistencë sociale nga shteti.
ASK-ja nuk ka të dhëna për numrin e të papunëve në këtë komunë.
Buxheti i planifikuar i Komunës së Vushtrrisë për vitin 2021 është 18.9 milionë euro.
Sa janë investimet e huaja në Kosovë?
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja në vitin 2020 kanë qenë rreth 350 milionë euro, ndërsa brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti ato kanë qenë rreth 230 milionë euro.
Sektori i patundshmërive ka pjesëmarrjen më të lartë në strukturën e investimeve të huaja.
Gjermania është shteti me më së shumti investime të huaja direkte, i pasuar nga Zvicra./GazetaSinjali/