Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Lekë Bulliqit, 17 vjeçarit nga Prishtina, shkruan Gazeta Sinjali.
E.I. dhe E.M. po dyshohen se më 12 mars të këtij viti kanë kryer veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të armëve”.
Refuzimin e ankesave lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore për paraburgimin e të dyshuarve e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës së Apelit në Prishtinë, Arbër Jashari.
Ai ka thënë se kjo gjykatë i ka refuzuar ankesat e mbrojtjes së të dyshuarve, duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Në aktvendimin e Apeli thuhet se kjo gjykatë ka vlerësuar se gjykatësi i procedurës paraprake drejtë ka arsyetuar dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, kusht ky qenësor për caktimin e paraburgimit.
Kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejtë ka gjetur se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj tyre.
“Pasi që ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes për të pandehurit, pasi dyshohen për vepra të rënda penale, për të cilat edhe parashihen dënime të larta burgimi dhe se pas kryerjes së veprës penale kanë ikur derisa policia i ka identifikuar dhe arrestuar, prandaj me këto rrethana qartazi tregohet rreziku i ikjes”, thuhet në këtë aktvendim.
Gjithashtu, në vendim të Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë drejtë ka gjetur se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh se ekzistojnë rrethana se nëse të pandehurit mbrohen në liri ka arsye për të besuar se do të asgjësojnë, fshehin provat e veprës penale dhe ndikojnë te dëshmitarët, si dhe dëshmitarët e mundshëm gjatë rrjedhës së kësaj procedure penale, të ndikojnë te njëri-tjetri pasi që veprën penale e kanë kryer në bashkëveprim, kurse dëshmitarët ende nuk janë dëgjuar.
Lëkë Bulliqi, 17-vjeçar, nuk kishte mundur t’u mbijetojë plagëve të marra pasi u qëllua me armë zjarri më 12 mars në Prishtinë. /Gazeta Sinjali/