image Mbahet testi kualifikues i kandidatëve për 16 prokurorë të Kosovës

Drejtësi

Mbahet testi kualifikues i kandidatëve për 16 prokurorë të Kosovës

news image

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri është mbajtur sot Testi Kualifikues i kandidatëve në kuadër të procesit të rekrutimit të 16 prokurorëve në prokuroritë themelore.

Sipas KPK-së, në këtë test kanë marrë pjesë 277 kandidatë.

Nga Këshilli Prokurorial është thënë se ky proces ka filluar me shpalljen e konkursit në qershor të vitit 2020 dhe me rishpalljen e tij në maj të vitit 2021.

Kandidatët kanë aplikuar përmes sistemit online të menaxhimit të dosjeve, me ç’rast iu është mundësuar të gjithë të interesuarve që të aplikojnë, duke bashkangjitur dokumentet e kërkuara në formatet e nevojshme digjitale.  

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbikëqyrur mbarëvajtjen e Testit Kualifikues në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Rekrutim dhe anëtarët e tjerë të komisionit, me ç’rast gjatë fjalës së rastit iu ka uruar sukses kandidatëve në ketë proces rekrutues. Gjithashtu për të mbikëqyrë ketë proces ishte i pranishëm edhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku”, thuhet nga KPK.

Po ashtu, sipas KPK-së në kuadër të monitorimit dhe vëzhgimit të këtij procesi të rëndësishëm morën pjesë përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë, si: EULEX-i, OSBE, EUKOJUST, Projekti i Ambasadës Britanike, Axiom International si dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) nga shoqëria civile.

Testi Kualifikues për rekrutimin e prokurorëve të rinj të shtetit është një nga fazat e testimit të përgjithshëm, që përbëhet edhe nga testi me shkrim dhe intervistimi i kandidatëve, të cilat Këshilli Prokurorial i Kosovës i menaxhon sipas standardeve më të avancuara. /GazetaSinjali/