image Mbahet seanca ndaj sigurimit të "Albi Mall" që rrahu brutalisht qytetarin - Sinjali

Mbahet seanca ndaj sigurimit të “Albi Mall” që rrahu brutalisht qytetarin

news image

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca ndaj të dyshuarit E.N, sigurim i qendrës tregtare “Albi Mall” i cili po mbahet në paraburgim pasi grushtoi e shqelmoi një qytetar për mosmbajtje të maskës.   

Burime e Sinjalit njoftuan se seanca është mbajtur nga ora 09:30, ku është dëgjuar qytetari, si i dëmtuar, si dhe eksperti mjeko-ligjor.

Këto burime po ashtu bënë me dije se në seancën e radhës që do të mbahet më 16 gusht, është vendosur që të shikohen video-incizimet e pamjeve, ku shihet rrahja brutale e qytetarit nga sigurimi i dyshuar.

Këto pamje ishin paraparë të shikohen sot, por në mungesë të pajisjeve të nevojshme në sallën ku është mbajtur gjykimi, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Prokuroria kishte ndërmarrë veprime pas raportimit të Sinjalit,  se ka pasur trajtim të veçantë nga ky institucion, duke mos urdhëruar arrestimin e të dyshuarit, e as ndonjë masë tjetër sigurie.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin