image Maturantët e "Sami Frashërit" organizojnë "maturë" në një lokal në Prishtinë, intervenon policia

Siguri

Maturantët e “Sami Frashërit” organizojnë “maturë” në një lokal në Prishtinë, intervenon policia

news image

Maturantët e Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë kanë vendosur që të organizojnë “mbrëmjen e maturës” mesditën e sotme në një lokal të kryeqytetit, raporton Gazeta Sinjali.

Mirëpo, kjo festë e tyre nuk zgjati shumë.

Gazeta Sinjali mëson se në oborrin e shkollës dhe në lokalin “Sami Caffe” ka dalë Policia e Kosovës, e cila ka shpërndarë nxënësit dhe ka gjobitur kafenenë në fjalë.

Lajmin për Sinjali e ka konfirmuar edhe Shkëlzen Xhafa, koordinator nga Policia e Kosovës.

“Policia ka shkuar në ora 11:00, ka marrë informatë se është organizuar një aheng i nxënësve në oborrin e shkollës dhe ka kontaktuar me drejtorinë e shkollës dhe ka marrë masa që të njëjtit me u shpërnda, për shkak se është në kundërshtim me Ligjin për Pandeminë”, tha ai.

Xhafa bëri të ditur se policia ka shqiptuar gjobë edhe ndaj lokalit që e ka organizuar këtë aheng.

“Gjatë patrullimit aty ka takuar edhe një lokal aty afër, të cilët kishin organizuar një lloj mature aty brenda në lokal dhe ndaj tij është shqiptuar fletëparaqitje për mosmbajtje të distancës”.

Koordinatori i policisë bëri të ditur se në këtë “mbrëmje të maturës” kanë qenë të pranishëm një numër i madh i maturantëve.

“Ka qenë një numër shumë i madh, do të thotë të gjithë ata që e kanë përfundu maturën dhe të njëjtit janë shpërnda, sepse paraqet problem dhe është në kundërshtim me Ligjin për AntiCOVID-19”, tha ai./Gazeta Sinjali/