image Maskat e dorëzat po hidhen vend e pavend, njerëzit po e dëmtojnë ambientin

Botë

Maskat e dorëzat po hidhen vend e pavend, njerëzit po e dëmtojnë ambientin

news image

Janë krijuar për të na mbrojtur nga COVID-19, por tërë maskat, dorëzat dhe mjetet e tjera mbrojtëse që po i përdorim po e dëmtojnë ambientin.

Koalicioni i Bregdetit Paqësor në Kaliforni për çdo muaj po e pastron bregdetin në qytetin Pacifica në San Francisco. Anëtarët këtë gjë e bëjnë qe 25 vjet.

Ata thonë se përgjatë viteve, përveç cigareve dhe mbështjellësve të ushqimit, kanë vërejtur edhe rritje dramatike të mjeteve mbrojtëse.

Kryetarja e kësaj organizate thotë se hedhja e maskave mbrojtëse është ngritur ndjeshëm që prej fillimit të pandemisë.

Nga të dhënat që i kemi regjistruar, jemi duke gjetur mesatarisht afro 300 maska e dorëza çdo muaj. Dhe kjo është vetëm ajo që po e regjistrojnë njerëzit. Kështu që, gjendja është e tmerrshme. Tërë këto janë krijuar nga plastika”, ka thënë ajo.

Një studim i vitit të kaluar në gazetën “Shkenca dhe Teknologjia Mjedisore”, ka zbuluar se 129 miliardë maska dhe 65 miliardë dorëza po përdoren çdo muaj në botë dhe një pjesë e tyre ka përfunduar në oqeane.

Në Qendrën e Mamalëve Detarë në Kaliforni, një fokë e shpëtuar po dërgohet në pishinën e rikuperimit.

Ky vend kujdeset për të gjitha speciet e detit dhe biologët janë shprehur të shqetësuar se mund të jenë në zhdukje.

Adam Ratner nga kjo qendër thotë se njerëzit duhet të mendojnë me kujdes para se t’i hedhin maskat.

“Për fat të mamalëve detarë, sikurse për këta prapa meje, janë pak më të mëdhenj për t’u ngujuar në këto gjëra, por është goxha rrezik për kafshët më të vogla. Kështu që, nëse i hidhni këto maska bëni mirë t’i hiqni shiritat. Pastaj është edhe problemi i gëlltitjes, pasi shpeshherë i ngatërrojnë me ushqim”, ka thënë ai.

Në plazh, vullnetarët i kanë mbushur kovat me mbeturina.

Gjërat e mbledhura rikujtojnë se përpjekja për t’u mbrojtur nga COVID-19 nuk duhet t’i shkaktojë dëm botës së egër.

Po u bëhet thirrje njerëzve që t’i hedhin si duhet këto gjëra dhe inkurajohen që nëse është e mundur të përdorin maska që janë të ripërdorshme dhe të bëra nga materialet. /Gazeta Sinjali/