image Mashtrohet 32-vjeçari nga Prishtina: Ia zhvatin 132 mijë euro për një pronë - arrestohet personi i dyshuar

Siguri

Mashtrohet 32-vjeçari nga Prishtina: Ia zhvatin 132 mijë euro për një pronë – arrestohet personi i dyshuar

news image

Kosovarët jo rrallëherë japin shuma të majme parash te personat jokompetentë për të kryer shërbime të ndryshme, të cilët më vonë rezultojnë të jenë vetëm mashtrues. Pre e një mashtrimi të tillë kanë rënë edhe një qytetar në Prishtinë, i cili ka paguar një shumë të majme parash për blerjen e një prone. Por përveç që nuk arriti ta ‘kap’ tokën, ai mbeti edhe pa para, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se kanë nisur hetimet lidhur me rastin të cilin e ka denoncuar një 32-vjeçar që dyshohet se është mashtruar nga i dyshuari A.Z, 50-vjeçar.

Bazuar në dëshminë e tij dhënë hetuesve policorë, i riu ishte marrë vesh me të dyshuarin për blerjen e një prone, për të cilën duhej të paguante goxha shumë pata që t’i mundësohej blerja e pronës.

Por s’bëhet fjalë për 10 mijë e as 20 mijë, por për 132 mijë euro. Kështu ka pretenduar viktima, i cili ka deklaruar se ia ka dhënë të gjitha këto para nga muaji prill i vitit të kaluar, të ndara në disa pjesë.

Por meqë i dyshuari s’po bëhej i gjallë pasi i njëjti i kishte prezantuar dokumente fallco, premtimi mbeti bosh dhe viktima u detyrua të kërkojë ndihmën e Policisë.

Pas disa muajsh hetime, Policia ka arritur ta arrestojë tek sot personin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij për veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave,  me urdhër të Prokurorit të Shtetit  rasti është iniciuar ‘Mashtrim’, teksa  veprimet tjera do të ndërmerren brenda afatit ligjor.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

/GazetaSinjali/