Në javët e para të muajit marsi, pritet të ndryshojnë masat antiCOVID në Shqipëri.
Nga Vora teksa pa nga afër rikonstruksionin e qendrës shëndetësore, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu e shoqëruar nga Zëvëndëspresidenti i Zvicrës, Alain Berset, tha se vaksinimi mbetet kyç për rivlerësimin e masave.
“Përgjatë gjithë këtij viti fjala kyçe do vijojë të mbetet vaksinimi dhe vaksinimi me dozën e tretë është sërish shumë i rëndësishëm në funksion të rritjes së imunitetit dhe shmangies të formave të rënda të sëmundjes. Jemi duke vlerësuar me shumë kujdes situatën epidemiologjike. Duke shpresuar që do të jemi në indikatorë të përmirësuar, do të rivlerësojmë masat në dy javët e para të muajit mars”, u shpreh ajo.
Deri tani në Shqipëri kanë mbërritur mbi 3.1 milion doza vaksine ndaj COVID-19 dhe janë kryer mbi 2 milionë e 680 mijë vaksinime.