image Marrëveshja për targat, këshilltari i Blinken telefonon Kurtin: Faleminderit për angazhimin konstruktiv

Politikë

Marrëveshja për targat, këshilltari i Blinken telefonon Kurtin: Faleminderit për angazhimin konstruktiv

news image

Derek Chollet, këshilltari special i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka telefonuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka përgëzuar për arritjen e marrëveshjes me Serbinë lidhur me çështjen e targave, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Chollet ka thënë se ka falënderuar Kurtin për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge drejt shtensionimit të situatës.

“E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge drejt de-eskalimit të tensioneve dhe përkushtimin që urgjentisht të punohet në normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin fuqishëm”, ka shkruar Chollet.

Lidhur me marrëveshjen ka reaguar dhe zëdhënësi i Departmentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, i cili ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa bëjnë thirrje që palët të përqendrohen tutje në normalizimin e marrëdhënieve.

Në reagim po ashtu theksohet se Washingtoni mirëpret vendimin e palëve për të vënë interesat e të gjithë njerëzve në plan të parë, ndërsa u kërkohet që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre.

Ndryshe, kryediplomati evropian, Josep Borell, mbrëmë ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Borell njoftoi se tash e tutje në Bruksel do të ketë bisedime për normalizim marrëdhëniesh dhe nëse njëra palë bllokon BE do ta ndërprejë procesin.

Po ashtu në deklaratën e Borell u tha që palët e kuptojnë se duhen implementuar marrëveshjet në Bruksel, një referencë kjo për Asociacionin, për të cilën  Kurti ka hapur rrugë që Serbia ta trajtojë si çështje në kuadër të propozimit franko- gjerman.

Kujtojmë që takimi në Bruksel u zhvillua vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.

/GazetaSinjali/