Manchester City po tregon ambicie të mëdha në merkaton e verës, teksa synon të përforcojë ndjeshëm skuadrën për edicionin e ardhshëm. Klubi anglez ka vënë në shënjestër mesfushorin e Nottingham Forest, Elliot Anderson, për të cilin është gati të bëjë një investim rekord.
Sipas raportimeve të specialistit të transferimeve, Fabrizio Romano, drejtuesit e Cityt kanë dorëzuar një propozim të përmirësuar që kap vlerën e 106 milionë eurove, ndërsa me bonuset e parashikuara shuma totale mund të arrijë në 121 milionë euro.
Pas përfundimit të aventurës së Bernardo Silvës në “Etihad”, klubi po kërkon një emër të rëndësishëm për të mbushur boshllëkun e lënë në repartin e mesfushës. Njëkohësisht, drejtuesit synojnë t’i vënë në dispozicion trajnerit Enzo Maresca një ekip sa më konkurrues për sfidat e sezonit të ri.
Anderson shihet si një nga objektivat kryesorë të teknikut italian, i cili e konsideron 23-vjeçarin pjesë të rëndësishme të projektit të tij, së bashku me Rodrin dhe Rayan Cherkin.
Megjithatë, negociatat nuk pritet të jenë të lehta. Nottingham Forest mbetet i vendosur dhe nuk dëshiron të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të vlefshëm pa përfituar të paktën 120 milionë euro të garantuara.
Gara për mesfushorin anglez mund të bëhet edhe më e fortë, pasi Manchester United po ndjek nga afër situatën dhe mund të ndërhyjë me një ofertë të vetën në ditët në vazhdim.
Nëse bisedimet me Forest nuk sjellin marrëveshje, Manchester City ka përgatitur edhe alternativa të tjera. Mes emrave që pëlqehen nga drejtuesit është edhe ai i Sandro Tonalit, i cili mbetet një opsion për forcimin e mesfushës.
Ditët e ardhshme pritet të japin një përgjigje më të qartë nëse City do të plotësojë kërkesat ekonomike të Nottingham Forest apo nëse saga e Andersonit do të vazhdojë gjatë gjithë verës. Ajo që duket e qartë është se klubi nga Mançesteri është i gatshëm të shpenzojë shuma të mëdha për ta siguruar transferimin e mesfushorit anglez.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!