Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Bullgaria kanë ndaluar fluturimin e avionit që duhej të lejonte ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov të vizitonte nesër Beogradin.
Në të njëjtën kohë, nga zyra e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë njoftuar, se nesër në orën 10, do të takohet me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko, shkruan danas.
Siç ishte paralajmëruar më parë, kreu i Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse do të vizitojë Serbinë më 6 dhe 7 qershor.
Kujtojmë se Brnabiq ka deklaruar sot, se situata rreth mbërritjes së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Beograd, është “jashtëzakonisht e komplikuar” dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po merret me logjistikën e udhëtimit të tij.
“Është vërtet e pabesueshme që situata në Evropë dhe në botë është e tillë që presidenti i një vendi duhet të merret me gjëra të tilla si logjistika e udhëtimit të një ministri të jashtëm, e cila përcakton nëse ai do të vijë apo jo”, tha Brnabiq për Pink.
Dy ditë më parë, presidenti serb, Vuçiq, tha se vizita e ministrit rus Sergei Lavrov, tashmë ishte planifikuar dhe se rezultati i vizitës ishte i pasigurt derisa të realizohej.
“Është e mundur që gjithçka të jetë mirë, dhe ka mundësi që të mos jetë. A është gjithçka e planifikuar, gjithçka është planifikuar. E kur do të takohet me Selakoviqin, ku jam në darkë, ku është vizita në varreza”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se nuk përjashton që vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov në Beograd, mund të rrezikojë vizitën e kancelarit gjerman Olaf Scholz.