Në lidhje me demarkacionin me Kosovën ka folur Ministri i Punëve të Jashtëm i Malit të Zi, Gjorgje Raduloviq, i cili gjatë vizitës inauguruese ambasadores së re të Kosovës, Ariana Zherka-Hoxha, ia ka përmendur si të përfunduar çështjen e demarkacionit mes dy shteteve.
Në njoftimin e kësaj ministrie thuhet se bashkëpunimi në mes dy vendeve do të vazhdojë.
“Si shteti më i vogël në rajon, Mali i Zi është shumë i përkushtuar në bashkëpunim të mirë rajonal, stabilitet dhe paprekshmëri të kufijve të përcaktuar bashkë. Në këtë kuptim, kreu i diplomacisë malazeze vuri në pah shembullin e mirë të bashkëpunimit, të nënshkrimit të Marrëveshjes për kufijtë, në qershor të 2018-s, që me sukses kompletoi çështjen e demarkacionit mes Malit të Zi dhe Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Demarkacioni ishte një nga temat që u diskutua mjaft shumë në Kosovë.