Kompania “tikps.app”, e autorizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës për shitjen e biletave online, i ka shitur një pjesë të biletave për ndeshjen Kosovë-Angli, ndonëse web-faqja e kësaj kompanie ka qenë jashtë funksionit që para daljes në shitje të biletave.
Në reagimet e kompanisë, “tiks.app” njoftonte njëherë se qasja në web-faqen e tyre ishte e pamundur për shkak të ngarkesës së madhe.
Më vonë, ata ndryshuan arsyetimin për problemet në qasje. Njoftuan se platforma e tyre për shitjen e biletave ka qenë cak i sulmeve dhe kjo kishte shkaktuar probleme në qasje.
Pavarësisht pamundësisë për t’u qasur në web-faqe dhe sulmeve të pretenduara kibernetike, kjo kompani ‘mrekullisht’ ka arritur t’i shes një pjesë të biletave, shkruan Gazeta Sinjali.
“Tiks.app” mes sfidave dhe punës që kanë pasur, janë kujdesur që të punojnë edhe në fshierjen e komenteve kritikuese që janë drejtuar publikisht në njoftimet në faqen e tyre në Facebook.
Ndonëse dyshimet për keqpërdorimin e biletave janë rritur dhe po adresohen publikisht, për kryetarin e FFK-së, Agim Ademin, procesi është duke rrjedhur normalisht. /Gazeta Sinjali/