image Lutfi Haziri: Mund të mbetet për më vonë çështja e presidentit

Kosovë

Lutfi Haziri: Mund të mbetet për më vonë çështja e presidentit

news image

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së në një intervistë për ABC News ka dhënë detaje për marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me formimin e qeverisë së re.

Ngërçi mes dy forcave politike në koalicion është Presidenti. Ndërsa Haziri në intervistë shprehet optimist se do të arrihet një marrëveshje me VV ndonëse kanë mbetur vetëm dy ditë kohë, deri në fillimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Haziri zbulon se një mundësi për të arritur marrëveshjen është edhe dakordësia me VV-në për ta shtyrë për një moment tjetër çështjen e Presidentit. I pyetur nëse ka LDK një emër për kreun e Shtetit në Kosovë, ai tha se nuk e ka një të tillë, por preferojnë një President konsensual.

ABC: Ka një ngërç për bisedimit dhe ka të bëjë me çështjen e Presidentit, VV thotë që LDK-ja është barrikaduar dhe ky barrikadim i LDK-së ka shkaktuar këtë situatë. Ndërkohë që jemi vetëm tre ditë para se të mblidhet Paralmenti i ri. A është barrikadim kërkesa juaj për të pasur Presidentin?

Haziri: Në asnjë mënyrë nuk mund të trajtohet si barrikadim politik, është e kundërta. LDK ka treguar gatishmëri dhe vullnet të mirë që të arrihet një marrëveshje, e cila në shkallë ose në masë shumë të madhe të marrëveshjes është përfunduar, ka mbetur të pjesëtohet roli jonë kushtetues në institucionet qendrore. Ne duhet të punojmë bashkërisht që një emër i përbashkët do të përfundonte marrëveshjen. Unë mendoj se po harxhohet oksigjen politik, është një zotim, një formulim i ri në marrëveshje e re që mund t’i japë zgjidhje kësaj çështje. Po mundohemi të arrijmë një marrëveshje që jep frymë. Pritja është e madhe. Ne do të punojmë që të arrihet kjo marrëveshje. Po punojmë që pa ndërmjetësues të brendshëm dhe pa ndërmjetësues të jashtëm për herë të parë në Republikën tonë me arritur një marrëveshje, e cila i jep frymë demokracisë në këtë vend. Ne do të punojmë që të arrihet kjo marrëveshje sa më shpejt.

ABC: A keni juve një emër për Presidentin?

Haziri: Nuk kemi emër, sepse në traditën tonë politike emri nuk paragjykohet jashtë kohës kur duhet me u zgjedhe. Presidenti pritet për të qenë në detyrë në mars, mandati është shumë i qartë. Pa u dakorduar të dy palët për një emër nuk mund të ketë as nominim të partnerëve. Nëse kjo nuk ndodh atëherë janë dy rreziqe. Rreziku i parë është që partitë e koalicionit do të punojnë për një emër ose me mbështetë presidentin aktual duke pretenduar për të krijuar shumicë. E dyta është që do të vijmë në një krizë politike që na çon në zgjedhje të hershme për shkak të paaftësisë për të zgjedhur Presidentit.

ABC: Sepse rrezikon rënien e qeverisë.

Haziri: Natyrisht. Paaftësia e Kuvendit për të zgjedhur Presidentin është shpërbërje e Kuvendit.

ABC: Me kërkesën tuaj bëhet fjalë që LDK të propozon një kandidat nga radhët e veta apo për një emër konsensual nga bota akademike ose njerëz me vlera të njohur?

Haziri: Ne besojmë se emri i LDK-së ka për t’i bërë nder nominimit. Ne kemi dhënë 2 presidentë, Ibrahim Rugovën dhe Fatmir Sejdiun. Praktikisht angazhimi i LDK-së është për të ofruar president konsensual. Presidenttët e kaluar kanë qenë politikë por format historik. Tani ne do të ofrojmë emra që me partnerët do i diskutojmë dhe do ndërtojmë një konsensus.

ABC: Duket që VV nuk është fare e gatshme në kuptimin që të pranojë këtë kërkesë të LDK-së dhe thotë që kur të vijë koha për Presidentin e diskutojmë, ju që kërkoni që kjo çështje të futet tani në paketë dhe që VV kërkon që të lihet ose të ketë një paragraf që të bini dakord në parim dhe do diskutoni, çfarë ndodh?

Haziri: Mosbesimi politik është një prej hendeqeve që po na ndan më shumë. Nëse kryeministri është i pranueshëm për të gjithë ne, edhe një President duhet me ardh në sensin e njëjtë. Edhe unë angazhohem për një president përtej kornizës së koalicionit.

ABC: Çfarë ndodhen nëse nuk arrini të merreni vesh?

Haziri: Do të arrijmë në një definicion dhe do të tejkalohet edhe çështja e Presidentit. Kjo mund të përballohet në ditët në vijim. Është kohë e mjaftueshme.

ABC: Nëse nuk bini dakord për këtë çështje do tërhiqeni?

Haziri: Ne jemi të qartë ose koalicion me VV ose opozitë.

ABC: Jeni të përgatitur nëse të enjten nuk arrihet marrëveshja të mblidhet një Kuvend që të shërbejë veten e vet?

Haziri: Unë besoj se deri aty nuk do vihet, nëse vihet, LDK nuk ka propozim për kryetar të Kuvendit. Besoj shumë se 2-3 opsionet që janë në tavolinë të definohet plani.

ABC: Cila ofertë do ishte?

Haziri: Mund të mbetet edhe më vonë zgjidhja e definicionit për Presidentin.