Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhuku, është ankuar me sjelljen e Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë kohës sa këto dy parti kanë tentuar të arrijnë një marrëveshje për koalicion.
Ai ka thënë se VV ka atakuar në vazhdimësi LDK-në, ndërsa sipas tij, nuk ka asnjë person nga LDK që ka atakuar publikisht ndonjë prej zyrtarëve të VV-së.
“Nuk ka ardhur nga LDK, por ka ardhur pikërisht nga Vetëvendosja dhe nuk mbaj mend që dikush nga LDK-ja, të ketë atakuar VV-në ose për më tepër, nuk mbajë mend që ndonjë prej ekipit negociuese nga ne ta atakojë palën tjetër”.
“Unë besoj që kur atakohesh publikisht në vazhdimësi në gjuhen që i është dhënë LDK-së, për gjatë kohës sa po provonim të bënim koalicion, besoj që LDK-ja është treguar shumë më shumë e durueshme se secila parti tjetër politike”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai më tutje ka thënë se nuk po arrin t’i kuptojë asnjëherë sjelljet e VV-së ndaj LDK-së. Por, ka thënë se sipas tij, janë dy mundësi për sjelljet e tilla të VV-së. Abdixhiku ka thënë se ose bëhet për shkak ta naivitetit ose për shkak se sulmet janë të porositura.
“Unë nuk arrij ta kuptoj dhe aq më pak ta shpjegoj, por e kam quajtur mes naives dhe mes të porositures. Sepse mendoj që ose je naivë, ose je i porositur për të penguar koalicionin në këtë kohë, por evidentja është që do të na duhet kohë për të rimëkëmbur një besim të dëmtuar. Por, nëse do të ndërtohet një koalicion i tillë, nuk dyshoj që nuk do të ishte i suksesshëm, pra besoj që do të ishte i suksesshëm komfor programit që kemi ndërtuar”, ka deklaruar ai në TV Dukagjini.
Më tutje, ai po ashtu ka thënë se udhëheqësit e LDK-së kanë porositur anëtarët e LDK-së që të mos atakojnë askënd në publik nga VV-ja, për shkak të bisedimeve.
“Ne kemi qenë të përmbajtur dhe kemi provuar që të ruajmë qetësinë dhe kemi pasur kërkesa të drejtpërdrejta nga udhëheqësit e LDK-së që të mos kemi konflikte publike me ta, sepse e dëmtojnë procesin”.
“Nuk e kemi bërë se nuk kemi ditur të mbrohemi, por e kemi bërë për shkak se kemi dashur ta bëjmë këtë koalicion sepse nuk ka njeri në LDK që nuk e pranon këtë marrëveshje. Nëse nesër ose sonte pranohet kjo ofertë, qysh nesër do të kemi Qeverinë Kurti sepse po e them që nuk ka asnjë njeri në LDK kundër kësaj ofertës. Nuk kemi vërejte kundër Konjufcës si politikan”, ka deklaruar Abdixhiku./Gazeta Sinjali/