Lumi i Mirushës në Banjë të Malishevës është tejet i ndotur, si pasojë e mbeturinave dhe derdhjes së ujërave të zeza në të, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky lum i cili gjendet shumë afër shkollës fillore në fshatin Banjë, i atakon fëmijët e këtij vendi, kurse banorët që jetojnë pranë rrjedhës së këtij lumi thonë se aty kundërmon rëndë.
Por, duket se nxënësit dhe banorët e kësaj zone do të vazhdojnë të përballen me këtë problem.
Kjo pasi që, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Malishevë, Milazim Morina, ka thënë për Gazetën Sinjali se këtë vit nuk kanë planifikuar pastrimin e këtij lumi e as nuk janë ndarë mjete për të.
“Në këtë vit nuk kemi planifikuar pastrimin e këtij lumi, por vitin e kaluar është pastruar lumi i Banjës, sidomos te pishina. Mirëpo kryesore pse është ndotja e lumit Mirusha janë ujërat e zeza.”, ka thënë Morina.
Kurse drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në këtë komunë, Ahmet Morina, ka thënë se është hapur tenderi për mirëmbajtjen dhe rinovimin e kanalizimeve në komunën e Malishevës.
“E kemi hapur tenderin për mirëmbajtjen dhe rinovimin e kanalizimeve. Kjo është një mirëmbajtje dy-vjeçare, që operatori është në fazën finale m’u emëru dhe shpresojmë që nga java e ardhshme me fillu mirëmbajtja dhe rregullimi i kanalizimeve në territorin e Malishevës”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Malishevë.
Të dy drejtorët kanë potencuar se shkaku kryesor i derdhjes së ujërave të zeza në lumin e Mirushës është defekti në kolektorin kryesor të kanalizimeve, për të cilin janë ndarë rreth 60 mijë euro nga buxheti komunal.
Në raste të rritjes së nivelit të ujit të këtij lumi, shkaktohen vërshime, si pasojë e të cilave shpërfaqen këto mbeturina dhe ujëra të zeza.
Lumi Mirusha përgjatë rrjedhës së tij krijon 12 ujëvara dhe 16 liqene të cilat së bashku krijojnë një fenomen të rrallë dhe shumë atraktiv për vizitorë. /Gazeta Sinjali/