Romelu Lukaku pranon se ky ka qenë viti më i mirë i karrierës së tij, pas performancave dhe fitimit të Scudettos me Interin, Sinjali Sport.
Sulmuesi iu gëzua pamasë triumfit në Serie A, e cila u arrit pasditen e së dielës kur Atalanta nuk arriti të mposht Sassuolon.
Ai madje u bashkua me tifozët që vozisnin rreth qytetit të Milanos me një flamur të Interit, duke e tundur atë nga dritarja e tij dhe duke kënduar së bashku.
“Unë jam aq i lumtur për të gjithë tifozët e Interit në botë, për ekipin, stafin, Presidentin dhe të gjithë”, ka thënë Lukaku për Sky Sport Italia.
“Ishte një vit i mrekullueshëm për ne, unë jam me të vërtetë krenar që kam luajtur për Interin. Doja të dilja këtu dhe të festoja së bashku me njerëzit. Unë i thashë mikut tim se kjo ishte mënyra më e mirë për ta përjetuar, për të qenë atje me tifozët”.
“Për mua dhe shumë prej shokëve të mi të skuadrës, ky është titulli ynë i parë në kampionat, kështu që është një moment që kemi dashur ta ndajmë me ta”.
Ish-sulmuesi i Chelseat dhe Manchester United u pyet nëse ky ishte sezoni më i mirë i karrierës së tij.
“Edhe viti i kaluar ishte i mirë, por ky ishte më i miri në karrierën time. Është e mrekullueshme dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Unë dua të falënderoj të gjithë, unë jam me të vërtetë i lumtur”, ka përfunduar belgu. /Gazeta Sinjali Sporti/