image Lufta në Ukrainë ua ‘rikujton’ autoriteteve kosovare nevojën emergjente për anëtarësim në NATO

Politikë

Lufta në Ukrainë ua ‘rikujton’ autoriteteve kosovare nevojën emergjente për anëtarësim në NATO

news image

Që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, integrimi në NATO ka qenë një nga prioritetet kryesore qeveritare. Kjo kërkesë u riaktualizua ditët e fundit pas sulmit të Rusisë në Ukrainë. Refuzimi i Serbisë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe mos-dënimi i agresionit të saj ndaj ukrainasve, u bë një nga shkaqet që Kosova të kërkojë anëtarësimin e përshpejtuar në organizatën më të madhe të sigurisë në botë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, kërkoi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Kanadaja që të reagojnë ndaj deklaratave të Serbisë lidhur me zhvillimet e fundit në Ukrainë.

Përmes një letre, ai ka bërë thirrje që të përshpejtohet anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane në Kosovë.

Anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, kishte shkruar Mehaj në një postim në rrjetin social Facebook.

Pas Mehajt, edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në institucionet euro-atlantike është më i domosdoshëm se kurrë.

Duke parë atë që po ngjanë në Ukrainë, është e natyrshme që Kosova të anëtarësohet në NATO”, ka deklaruar ajo në një konferencë të përbashkët me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë vizitës së saj në Turqi.

Ndërkohë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se është shumë e rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në Aleancën Veri-Atlantike – NATO.

Konjufca ka thënë që është krijuar një momentum i ri të cilin Kosova do ta shfrytëzojë.

Vet anëtarët e NATO-së kërkojnë që edhe Kosova të jetë sa më shpejtë pjesë e familjes euroatlantike, kjo është një situatë e re”, shtoi Konjufca.

Ai gjithashtu ka deklaruar se institucionet duhet t’i kushtojnë vëmendje asaj se çfarë është duke ndodhur në Evropë dhe se nuk përjashton mundësinë e një konflikti të armatosur me Serbinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo sepse sipas tij, Qeveria e Serbisë synon pushtimin e territorit të Kosovës ashtu siç është duke tentuar Rusia në Ukrainë, duke thënë se ekziston mundësia që Serbia të shkel marrëveshjet të cilat janë nënshkruar në vitin 1999 ndonëse trupat e NATO-së janë në Kosovë.

E edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë të martën për Sky News, ka thënë se Kosova duhet të jetë sa më shpejt anëtare e NATO-s.

Ne duam të anëtarësohemi në BE dhe NATO. Aktualisht kemi NATO-n në Kosovë, por sa më shpejt të anëtarësohemi në NATO do të jetë më mirë për popullin e Kosovës, për Republikën e Kosovës por për gjithë rajonin dhe kontinentin evropian në përgjithësi”, tha Kurti.

Pas kërkesave të krerëve të shtetit për anëtarësimin e Kosovës në NATO, qytetarët kosovarë filluan një fushatë në të gjitha rrjetet sociale.

Nga jehona e madhe që mori, hashtagu #KosovoInNATO u bë trend në rrjetin social Twitter.

Pas gjithë këtyre deklaratave, nuk kishte si të mungonte edhe reagimi i Serbisë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në këtë aleancë, nuk është ide e kosovarëve, por e politikanëve nga SHBA-ja.

 “Ata kështu duan të detyrojnë katër vendet e BE-së që janë anëtare të NATO-s të njohin Kosovën e pavarur. Ne nuk jemi naivë. Serbia do t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar, ne do të respektojmë integritetin tonë territorial”, tha ai në një konferencë.

Ndërsa ministri i Brendshëm serb, Aleksander Vulin, ka bërë një deklaratë në stilin e presidentit rus, Vladimir Putin, duke thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është kërcënim ushtarak për Serbinë. Njëjtë kishte deklaruar edhe Putin për Ukrainën para se të fillonte agresionin e tij ushtarak.

Vulin thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO përveç që kërcënon Serbinë nënkupton edhe anulimin e rezolutës 1244 dhe Marrëveshjen ushtarake të Kumanovës.

 “Kosova s’është shtet, s’ka ushtri, është problem politik për të paktën 4 shtete të NATO-s dhe s’do të ketë  kapacitete ushtarake për një kohë të gjatë. Prandaj pse është e rëndësishme të bëhet anëtare e NATO-s pa procedura dhe përmbushje të kushteve? Anëtarësimi i Kosovës në paktin e NATO-s është kërcënim ushtarak për Serbinë dhe asgjë tjetër. Duke e anëtarësuar Kosovën në aleancën ushtarake të NATO-s anulohen Rezoluta 1244, shfuqizohet Marrëveshja e Kumanovës dhe të gjitha garancitë e OKB-së, por gjithashtu obligon të gjithë anëtarët e NATO-s që ta mbrojnë integritetin territorial të anëtarit të ri. A dyshon dikush që në këtë rast Kurti do të ngurronte të sulmonte serbët veçanërisht në veri dhe të provokonte konflikte derisa Serbia të detyrohej të mbronte popullin e saj”, ka thënë Vulin.

Për dallim nga Serbia, shteti tjetër fqinj, Maqedonia e Veriut, ka shprehur gatishmërinë e saj për mbështetjen e Kosovës  për anëtarësim në NATO dhe në organizata ndërkombëtare.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në një konferencë pas takimit me homologun e tij kosovar, Glauk Konjufca.

Ne si Republikë e Maqedonisë së Veriut kemi qëndrim afirmativ ndaj aderimit të Republikës së Kosovës në të gjitha forumet dhe nismat multilaterale dhe rajonale dhe do të vazhdojmë edhe më tej në mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare ku jemi anëtarë me fuqi votues”, ka thënë ai.

Po ashtu edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se do ta ndihmojë Kosovën për anëtarësim në NATO, siç e ka ndihmuar për të siguruar njohje të reja.

Ne si vend i rëndësishëm në NATO nuk shohim asgjë që nuk shkon sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë dhe për të mbështetur këtë proces. Do të ndërmarrim hapat tona, siç ndihmuam në procesin e njohjeve do të bëjmë njëjtë edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, tha Erdogan në konferencën e përbashkët me presidenten Osmani.

Por, shteti i Kosovës ende nuk ka aplikuar formalisht për anëtarësim në NATO.

Deri më sot, shteti kosovar mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka ndonjë formë të marrëdhënies kontraktuale me Aleancën.

Dhjetë vjet më parë, Kosova aplikoi për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, por kjo nuk u mundësua për shkak se Forca e Sigurisë së Kosovës, kishte statusin e organizatës për ndërhyrje në emergjenca dhe katastrofa natyrore dhe jo atë të ushtrisë.

Në vitin 2016, qeveria e Kosovës bëri përpjekje të përsëritur për të forcuar bashkëpunimin me NATO-n, por ishte Spanja, një nga vendet e BE-së që e kundërshtoi atë. Në vitin 2017, megjithatë, NATO pranoi ta forcojë bashkëpunimin e saj me FSK, por vetëm midis forcës paqeruajtëse të KFOR-it që ka mandat nga OKB-ja dhe zyrës ndërlidhëse dhe ekipit këshillues të NATO-s në Prishtinë.

/GazetaSinjali/