image Lufta në Ukrainë ngadalëson edhe ekonominë e Kosovës

Financa

Lufta në Ukrainë ngadalëson edhe ekonominë e Kosovës

news image

Rritja e inflacionit dhe rënia e standardit jetësor do të jenë vetëm disa nga pasojat e luftës në Ukrainë, që do t’i arrijnë edhe qytetarët e Kosovës, thotë profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj.

Sipas tij, Kosova do të jetë në mesin e atyre vendeve që do të kenë vështirësi më të mëdha ekonomike, në krahasim me vendet më të zhvilluara.

Vendet që kanë nivel të zhvillimit dhe kanë bilanc të qëndrueshëm, e kalojnë më lehtë këtë proces. Ndërsa, në vendet që kanë raport tregtar negativ, siç është rasti i Kosovës, padyshim që konsekuencat e zhvillimeve ekonomike botërore dhe rajonale janë më të rënda”, thotë Ramosaj për REL.

Deficiti i lartë tregtar, prej vitesh, përbën sfidë të madhe për Kosovën, e cila është importuese e pothuajse të gjitha produkteve.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importi i mallrave në janar të këtij viti ka kapur vlerën e 338.1 milionë eurove, ndërsa eksporti ka qenë në vlerë prej 64.2 milionë eurosh.

BQK: Rritja ekonomike nga 10.5 në 3.3 për qind

Si pasojë e luftës në Ukrainë, ekonomia e Kosovës do të pësojë ngadalësim të aktivitetit, tregojnë edhe projeksionet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Sipas tyre, rritja ekonomike do të ngadalësohet në rreth 3.3 për qind këtë vit, nga 10.5 për qind sa ka qenë në vitin 2021.

Lufta në Ukrainë ka ndikuar nё rritjen e rreziqeve për perspektivën ekonomike. Ndikimi i kësaj krize pritet të reflektohet nё rritje të mëtejme potenciale të çmimeve të energjisë, naftës dhe ushqimit, me efekte negative në besueshmërinë e konsumatorëve dhe fuqinë blerëse”, thuhet në një raport të BQK-së, të publikuar më 21 mars.

Trazirat në tregje që i ka shkaktuar pushtimi i Ukrainës nga Rusia, kanë rritur në veçanti çmimet e energjisë, naftës dhe gazit.

Evropa, gati 40 për qind të furnizimeve me gaz i merr nga Rusia.

Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë afro 30 për qind të eksporteve globale të grurit.

Ukraina, po ashtu, është një nga prodhueset më të mëdha të hekurit. Ditë më parë është raportuar se një nga fabrikat më të mëdha në Evropë të hekurit dhe çelikut, e cila ndodhet në qytetin Mariupol të Ukrainës, është shkatërruar.

Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Mitrovicës, Isa Tahiri, thotë se këto zhvillime do të ndikojnë edhe në furnizimin e Kosovës me hekur e çelik.

Është lidhje zinxhirore, e cila do të ndikojë në ngritjen e çmimit të armaturës që përdoret për ndërtim. Kosova është në ndërtim e sipër dhe kjo do të ndikojë në ndaljen e hovit të ndërtimeve të larta. Ndalja e hovit të ndërtimit krijon papunësi”, thotë Tahiri.

Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës ka raportuar tashmë vonesa dhe mungesa të furnizimit me materiale ndërtimore. ​

Sipas kësaj shoqate, materialet ndërtimore janë shtrenjtuar për më shumë se 20 për qind, qëkur ka nisur lufta në Ukrainë, më 24 shkurt.

Hapat e Qeverisë përballë vështirësive ekonomike

Për t’i zbutur efektet negative të luftës në ekonominë e Kosovës, Tahiri thotë se Qeveria duhet të ndërhyjë me uljen e akcizës – që është një taksë që zbatohet mbi produktet e akcizës, si ato energjetike, duhani apo alkooli – dhe të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), si dhe t’i subvencionojë prodhuesit vendorë.

Kosova urgjentisht duhet ta subvencionojë sektorin e bujqësisë. Nëse nuk mund ta arrijmë hapin këtë vit, së paku të rrisim kapacitetet prodhuese për grurin, pemët dhe perimet për vitin tjetër”, thotë Tahiri.

Më 9 mars, Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 milionë euro për subvencionimin e sektorit të bujqësisë. Vetëm për subvencionimin e grurit janë ndarë 474 euro për hektar.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, nëse kriza gjeopolitike nuk përmbyllet shpejt dhe shkalla e inflacionit vazhdon të rritet, perspektiva ekonomike për Kosovën do të jetë më pesimiste në krahasim me pritjet e tanishme

Në shkurt të këtij viti, inflacioni në Kosovë ka arritur në 7.5 për qind, krahasuar me 0.7 për qind sa ka qenë në shkurt të vitit 2021.

Kosova, si shumë vende të tjera të botës, është përballur me rritje çmimesh edhe para shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Më 11 mars, Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO) ka paralajmëruar për rritje të mëtejshme të çmimeve – deri në 20 për qind – si pasojë e luftës në Ukrainë.

FAO ka thënë se Ukraina vështirë se do të mund të korrë grurin këtë sezon, ndërsa marrja e produkteve nga Rusia është bërë gjithashtu më e vështirë, pasi bizneset nuk duan të rrezikojnë të bien ndesh me sanksionet që ka ky shtet.

/GazetaSinjali/