Andi Pajaziti i njohur me nofkën ‘italiani’ dhe vëllai i tij, Ard Pajaziti që dyshoheshin se kishin qenë të përfshirë në përleshjen e armatosur në lokalin e natës “Duplex” në Prishtinë, janë liruar gjatë ditës së sotme nga Policia e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali merr vesh nga burimet e veta se Ard Pajaziti nuk është intervistuar fare nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, për shkak se nuk kishte pasur prova të mjaftueshme, se ai kishte qenë prezent në momentin kur dy grupet kishin shtënë me armë zjarri.
Kujtojmë se Ard Pajaziti ishte dorëzuar në Policinë e Kosovës, në ndërkohë, ‘italiani’ i kishte rezistuar arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës.
Rasti ishte konfirmuar nga Bajram Krasniqi, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës.
“Lidhur me rastin (Tentim vrasje) të datës 09.11.2019, që kishte ndodhur në rrugën ‘Rinia” në Prishtinë, sot më 26.11.2019, një nga të dyshuarit (A.P. 1994), është vet-paraqitur në polici. Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë. Po ashtu, sonte rreth orës 21, në rrugën ‘Xhemail Prishtina” në Prishtinë është arrestuar një i dyshuar tjetër (A.P. 1996), po për të njëjtin rast, gjatë arrestimit i njëjti ka rezistuar dhe tentuar t’i shmanget arrestimit. I njëjti po intervistohet në stacion policor”/Gazeta Sinjali/