Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se disa nxënës janë dërguar në Spitalin e Mitrovicës së Jugut, për trajtim mjekësor, pasi dyshohet se janë helmuar gjatë një ekskursioni.
Lidhur me këtë, Sinjali ka kontaktuar me drejtoreshën e këtij spitali, Luljeta Zhubi, e cila bëri të ditur se dy mësimdhënëse dhe 11 nxënës kanë marrë trajtim në Spitalin e Mitrovicës, por të njëjtit tashmë janë liruar.
“Gjendja ka qenë stabile dhe të gjithë janë liruar për në shtëpi”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, lidhur me rastin një sinjalizues i Gazetës Sinjali ka dërguar pamje nga spitali i Mitrovicës, ku shihet numër i madh i nxënësve duke qëndruar në oborrin e objektit. Po ashtu, sinjalizuesi ka njoftuar se pranë Spitalit të Mitrovicës janë parë edhe njësitet e Policisë së Kosovës.
Ai për Sinjalin tha se në spital kanë arritur edhe prindërit e disa fëmijëve të cilët janë brengosur për gjendjen shëndetësore të tyre.