Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas lajmit se Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka zhbllokuar fondin prej 250 mijë dollarësh për Kosovën, shkruan Gazeta Sinjali.
Limaj ka thënë se ky është një lajm i mrekullueshëm për Kosovën, derisa ka shtuar se kjo e fundit është e bekuar për miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Lajm i mrekullueshëm vendimi i MCC-së për zhbllokimin e fondeve për Kosovën. Rrugëtimi i Kosovës në këto vite është i lidhur ngusht me ShBA-të. Kosova është e bekuar me miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës“, ka shkruar Limaj në Facebook.
Vendimi për zhbllokimin e programit të MCC-së për Kosovën erdhi pasi Qeveria Hoti vendosi për heqjen e masës së reciprocitetit ndaj mallrave serbe.
Kujtojmë, se MCC kishte bllokuar investimet e saja në Kosovë pas refuzimit të qeverisë së Kosovës për të hequr taksën ndaj mallrave serbe. Një vendim i tillë i MCC-së ishte marrë gjatë kohës së Qeverisjes Kurti./Gazeta Sinjali/