Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është ankuar se pragu zgjedhor në Kosovë është shumë i lartë, raporton Gazeta Sinjali.
Limaj ka kërkuar uljen e pragut zgjedhor, pasi që sipas tij kjo po ua vështirëson që të jenë në Parlament për t’i ngritur çështjet të cilat prekin qytetarët.
“Nuk jemi në parlament fatkeqësisht dhe kjo vështirëson punë sepse nuk jemi aty për t’i ngritur çështjet. Por kjo nuk na ndalon neve dhe nuk është duke na ndaluar që të komunikojmë dhe të bashkëbisedojmë me njerëz për shqetësime, mendime”, tha Limaj në emisionin Pressing në T7.
“Kosova ka një numër të vogël të banorëve, me 1 milion e gjysmë. Është pragu shumë i lartë”, tha Limaj.
“Vendet si Rusia me 20 e më shumë milionë mund të jenë më 5 për qind sepse ka numër të madh të votuesve. Por ne jemi vend i vogël. Mendoj se ka ardhur koha të zbatojmë praktikat më të mira të vendeve demokratike, të ulet në 2 deri 3 për qind që të përfaqësojë sa më gjerësisht grupet politike dhe individët”, sqaroi ai.
Kujtojmë se partia e Limajt nuk ka arritur që të kalojë pragun zgjedhor në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë.