Tri kërkesa janë dorëzuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje për interpelancë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin.
Interpelanca e parë dhe e dytë ka të bëjë me marrëveshjen ekonomike të nënshkruar në Washington, kurse e treta me deklarata e Avdullah Hotit pas takimit me presidentin e Parlamentit Evropian dhe Komisionin e Politikës së Jashtme bëhet e ditur në njoftimin e LVV-së.
Ky është njoftimi i plotë:
“E para ka të bëjë me zotimin e Avdullah Hotit në Uashington për ta ndarë Liqenin e Ujmanit me Serbinë. Kjo është e paprecedentë dhe e rrezikshme ngase e përparon interesin e Serbisë për ta minuar sovranitetin e Republikës tonë, duke i dhënë asaj qasje në resurse tona ekonomike e strategjike. As Hoti, po as delegacioni i tij nuk kanë legjitimitetin për ta bërë këtë”.
“Ndërkaq, e dyta ka të bëjë me zotimin tjetër të tij në Uashington që kushtëzon zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit me ata që janë zhvendosur. Kjo përveç se është e dëmshme është edhe çnjerëzore”.
“Interpelanca e tretë ka të bëjë me deklaratat e Avdullah Hotit pas takimit me presidentin e Parlamentit Evropian dhe Komisionin e Politikës së Jashtme ku tha se “do ta respektojë plotësisht marrëveshjen për
‘Zajednicën’.” Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë këtë plan të Serbisë, duke gjykuar se ajo shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës në gjithsej 23 pika. Në fund të interpelancës Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do t’i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e një Rezolute që mes tjerash ia ndalon çdo zyrtari publik e shtetëror kompetencën dhe autorizimin për të biseduar për rikthimin e kësaj çështje”, thuhet në njoftimin e LVV-së./ Gazeta Sinjali/