image LDK, PDK dhe Nisma kërkojnë rinumërim, AAK-ja e pranon rezultatin

Kosovë

Rezultati/ LDK, PDK dhe Nisma kërkojnë rinumërim, AAK-ja e pranon rezultatin

news image

LDK, PDK dhe koalicioni Nisma-AKR-PD kanë paraqitur ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar rinumërimin e votave në zgjedhjet e së dieles, ndërkaq AAK-ja e ka pranuar rezultatin.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku.

“Nisma-AKR-PD, PDK dhe Lidhja Demokratike kanë kërku rinumërim të votave. Ato pretendojnë se kanë gjetë parregullsi”, ka thënë Desku për Gazetën Sinjali.

Ai ka theksuar se ankesat e subjekteve politike mbeten vetëm pretendime, derisa PZAP të vendos nëse do t’i aprovojë ato apo jo.

“Aprovimi ose jo i kërkesave të tyre është në kompetencë të panelit. Në ankesa ato kërkojnë rinumërim, por ai mbetet njëherë pretendim i tyre. Paneli vendos nëse ka bazë për rinumërimin e votave”, ka thënë Desku.

Ndërkaq zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se kanë kërkuar rinumërimin vetëm të votave të pavlefshme, që sipas tij janë 5% e totalit.

Nga rezultatet e fundit të publikuara në KQZ kur kanë mbetur edhe pak vota të panumëruara, vazhdon të prijë VV-ja që ndiqet nga afër nga LDK-ja.

PDK-ja ndërkohë vazhdon të jetë e treta, duke pranuar humbjen në zgjedhje. Të njëjtën e ka bërë edhe AAK-ja, por duke e ka pranuar edhe rezultatin.

Në anën tjetër, Nisma-AKR-PD është koalicioni që rrezikon të mos e kalojë pragun zgjedhor. /Gazeta Sinjali/