Që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, më 19 korrik të këtij viti, e deri më tash, Qeveria e Kosovës në detyrë ka marrë një varg vendimesh, të cilat nga dy partitë që kanë fituar numrin më të madh të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit – Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – dhe që pretendojnë të formojnë qeverinë e ardhshme, por edhe nga shoqëria civile dhe njohës të zhvillimeve politike, po konsiderohen si të paligjshme.
Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i së cilës, Albin Kurti, është pretendenti kryesor për postin e kryeministrit të vendit, kanë thënë se vendimet e tilla do të rishqyrtohen nga qeveria e ardhshme.
Arbërie Nagavci, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se një varg vendimesh të qeverisë në detyrë, përveç se konsiderohen të jashtëligjshme, kanë qenë të dukshme që kanë pasur ndikime partiake dhe të grupeve të ngushta të interesit.
“Në këtë drejtim, të gjitha vendimet që janë marrë në këtë kohë, që nga dorëheqja e qeverisë së Haradinajt, do të shqyrtohen një për një, secila prej atyre dhe në secilin rast ku pretendohet se ka pasur qoftë shkelje të ligjshmërisë, qoftë që vendimet janë marrë pa një bazë të arsyeshme ligjore dhe janë të panevojshme. Ato do të rishikohen”, thotë Nagavci.
Ajo shton se tashmë Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje qeverisë në detyrë, por edhe zyrtarëve civilë, që të përmbahen nga marrja e vendimeve, të cilat do të shqyrtohen dhe që në shumë raste konsiderohen që janë të ndikuara. Sipas saj, ato vendime do të kontestohen dhe në rast se vërtetohet që ka pasur shkelje të ligjshmërisë, personat që kanë marrë ato vendime do të thirren në përgjegjësi.
Ndërkaq, Artan Muhaxhiri, njohës i zhvillimeve politike në vend, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se mungesa e reformës zgjedhore ka krijuar situata me shumë paqartësi, lidhur me atë se çfarë ndodh kur jep dorëheqje një kryeministër, në aspektin e legjitimitetit institucional.
“Pra, Kushtetuta thotë që qeveria bie, mirëpo nuk është e qartësuar në detaje. Për këtë arsye, kjo mjegullnajë institucionale shfrytëzohet nga partitë politike që të marrin vendime, të cilat realisht nuk do të duhej që të merreshin sepse në momentin që një kryeministër jep dorëheqje, atëherë qeveria do të duhej të kalonte në nivel teknik dhe të mos merrej asnjë vendim i rëndësishëm politik, për shkak se nuk ka bazë legjitime për marrjen e atyre vendimeve”, tha Muhaxhiri.
Por, cilat do të jenë disa nga vendimet e Qeverisë së Kosovës në detyrë, të cilat do të kontestohen dhe rishqyrtohen nga qeveria e ardhshme?
Nagavci potencon sidomos dy vendimet e fundit, për emërimin e Kreshnik Gashit në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe emërimin e Burim Ramadanit për postin e Inspektorit të përgjithshëm të kësaj agjencie, janë ndër kryesoret që do të kontestohen. Sipas saj, këto vendime do të dërgohen për vlerësim edhe në Gjykatën Kushtetuese të vendit, pasi që të respektohet aspekti formal, që do të thotë, sigurimin e 30 nënshkrimeve të deputetëve në legjislaturën e ardhshme të vendit.
“Për më tepër, është parë se të dy personat kanë qenë në lidhje të ngushta partiake, njëri me Partinë Demokratike të Kosovës, gjegjësisht me (presidentin) Hashim Thaçin dhe tjetri me Ramush Haradinajn. Pra, janë persona dukeshim të ndikuar politikisht, në pozita të cilat supozohet se do të duhej të ishin persona të pavarur politikisht. Përpos këtyre dy vendimeve, për shembull është shumë problematike edhe çështja e emërimit të noterëve të rinj nga ish-ministri i Drejtësisë (Abelard) Tahiri, si dhe vendimet të tjera, të cilat duhet të shqyrtohen, një nga një”, u shpreh Nagavci.
Edhe analisti Muhaxhiri, vlerëson që emërimet e fundit për dy postet kryesore në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, por edhe emërimet në misionet diplomatike, si dhe të noterëve të rinj, do të jenë ato që do të kontestohen nga qeveria e ardhshme. Ai shpreh mendimin, se kontestimet e tilla, do të jenë të drejta.
“Absolutisht, unë mendoj që të gjitha vendimet e mëdha institucionale, shtetërore, të cilat janë marrë pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit, do të duhej që të kontestohen dhe të zhvlerësohen, sepse nuk ka logjikë që një kryeministër i dorëhequr të marrë vendime të mëdha shtetërore”, vlerësoi Muhaxhiri.
Pas dorëheqjes së tij nga detyra e kryeministrit, Ramush Haradinaj i ishte drejtuar më 29 korrik Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për definimin e kompetencave dhe funksionit të qeverisë në rrethanat e krijuara pas dorëheqjes së tij.
Më 4 shtator, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e ka cilësuar të papranueshme për interpretim kërkesën e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe “konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese”.