Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka thënë se skuadra e tij është më e mirë se rivalët Real Madrid dhe jo vetëm që mund të ruajë La Ligën sezonin e ardhshëm, por edhe të fitojë Ligën e Kampionëve.
Barca u rikthye në stërvitjet parasezonale në fillim të kësaj jave dhe ka bërë dy nënshkrime në afatin kalimtar deri më tani – Ilkay Gundogan dhe Iñigo Martinez.
“Ne kemi një ekip më të mirë se Madridi dhe, individualisht, jemi gjithashtu më të mirë, me disa dallime se rivalët tanë”, tha Laporta për Sport. “Si një anëtar i klubit dhe tifoz, jam shumë i kënaqur me ekipin që po ndërtojmë”, theksi presidenti spanjoll.
Madridi, i cili përfundoi si nënkampion i Barçës sezonin e kaluar në La Liga, ka shtuar Jude Bellingham, Joselu, Fran Garcia dhe ish objektivin e Barçës, Arda Guler këtë verë.
“Ne tashmë kemi një ekip shumë konkurrues,” tha Laporta. “Ne kemi fituar Ligën Spanjolle dhe mund të vazhdojmë të ushtrojmë dominim në këtë kompeticion, duam të jemi edhe në grupin e kandidatëve për të fituar Ligën e Kampionëve.
Unë fokusohem në krijimin e një ekipi të mirë sesa me nënshkrimin e individëve. Ne kemi nënshkruar me Gundogan dhe Martinez dhe ata do të na japin paraqitje të shkëlqyera si të tjerët që do të vijnë.
Na mungon një mbrojtës i djathtë dhe ne po punojmë për të. Ne gjithashtu duam të përforcojmë linjën tonë të mesfushës”, ka përfunduar Laporta.