Gjatë ditës së sotme nëpër portale të ndryshme kanë qarkulluar fotografi të shkrepura vite më parë në Kosovë, e jashtë saj me të cilat është mbuluar tragjedia e sotme nga tërmeti në Shqipëri.
Sipas faqes “Dardha Solutions” e njëjta fotografi, e cila sot ka qarkulluar gjithëandej është bërë në dhjetor të viti 2017, ndërsa sot kjo fotografi është përdorur si e shkrepur gjatë rrugës kur njësitet e FSK-së po shkonin drejt Shqipërisë për t’u dalë në ndihmë.
Anipse njësite të policisë dhe ushtrisë së Kosovës kanë shkuar drejt Shqipërsië, fotografia me të cilën është ilustruar duket të jetë e realizuar kohë me parë, shkruan Gazeta Sinjali.
Por, kjo fotografi nuk është e vetmja që është manipuluar gjatë ditës së sotme gjatë raportimit për ngjarjet në Shqipëri.
Një imazh ku një qen po e priste pronarin e tij, që kishte ndodhur vite më parë në Turqi, u bë gjatë ditës foto virale nëpër shumë portale e postime në rrjetet sociale, se gjoja kishte ndodhur në Shqipëri, e që me një kërkim të thjeshtë në Google del të jetë e pavërtetë.
E po ashtu edhe një video ku një foshnje kinse është nxjerrur nga gërmadhat me helikopter nuk është e vërtetë pasi që rasti ka ndodhur në vitin 2016. /Gazeta Sinjali/