image Lajmërohet Haziri pas humbjes nga Abdixhiku: LDK është vetë shteti i Kosovës

Politikë

Lajmërohet Haziri pas humbjes nga Abdixhiku: LDK është vetë shteti i Kosovës

news image

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, është lajmëruar për herë të parë pas humbjes që pësoi nga Lumir Abdixhiku në garë për të parin e kësaj partie, shkruan Gazeta Sinjali.

Haziri ka thënë se LDK është standard dhe shkollë politike, e cila më 14 mars, sipas tij, dëshmoi se të gjitha shoshitjet, analizat dhe vlerësimet nuk vlejnë.

Madje, sipas të parit të Gjilanit, LDK është vetë shteti i Kosovës.

“Në muajt e fundit na shoshitën, analizuan e besa edhe na trazuan për atë se si do ta kalojë LDK procesin e 14 marsit. U dëshmua se krejt ato vlerësime ranë përtokë. LDK është standard e shkollë politike. Është vetë shteti i Kosovës për të cilin do të punojmë pa u ndalë”, shkroi ai ndër të tjera në Facebook.

Ndërkaq, kryetarit të sapozgjedhur të këtij subjekti politik, Abdixhikut, Haziri i ka uruar sërish fitore, duke i premtuar mbështetje.

“Edhe njëherë i uroj për zgjedhjen në krye të LDK-së, Lumir Abdixhikut. Do t’i qëndroj prapa në çdo kohë, për çdo proces e detyrë të rëndë që e parashtroi para delegatëve”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/